Dasmë pas lindjes së fëmijës, pse jo? VIP-at shqiptarë që kanë thyer ‘rregullin’ tradicional
Shprehja “Në fillim vjen dashuria, e dyta martesa, pastaj vjen fëmija” nuk duket se është edhe aq e drejtë për të gjithë, duke përfshirë edhe një numër të caktuar çiftesh të njohur në botë, por edhe në Shqipëri, të cilët, në vend që të prisnin të lidhnin kurorë dhe pastaj të sillnin në jetë fëmijë, e kanë nisur nga fëmija dhe pastaj i kanë bërë gjërat zyrtare. Personazhe si Nicole Richie dhe Joel Madden, Kim Kardashian dhe Kanye West, apo Angelina Jolie dhe Brad Pitt (të gjashtë fëmijët në dasmë e tyre) i kishin dëshmitarë edhe fëmijët në dasmën e tyre.
Nuk janë të vetmit, sepse “rregullat” janë thyer prej vitesh edhe në Shqipëri. Askujt nuk i bën më përshtypje nëse çifti ka në dasmë edhe fëmijën. Madje, edhe urimin “Të trashëgoheni!” e mirëpresin njëlloj, edhe pse janë trashëguar të paktën një herë. Familja, natyrisht, ka dëshirë të jetë edhe më e madhe pas dasmës.
Po cilat janë çiftet shqiptare që e kanë thyer “rregullin e artë” të familjes?

Aurela dhe Skerdi
Origjinaliteti, duket se është tipari thelbësor i Aurela Gaçes, të cilin e kërkon dhe atje ku është e vështirë për ta imagjinuar. Origjinale në veshje, në mënyrën e të kënduarit, në performancën e saj në tërësi, e tillë Aurela ka qenë edhe në përzgjedhjen e partnerit. Origjinale kudo dhe kurdoherë, ajo nuk kishte si të ishte ndryshe edhe në dasmën e saj, madje çudi do të ishte nëse Aurela do të organizonte një dasmë tradicionale, me të ftuar fis e farë e me këngë labe sa të niste e mbaronte dasma. Jo se këto të fundit munguan, por u kënduan kur dhe si deshi e zonja e punës.

Ftesa e dasmës ishte ajo që lajmëroi se çifti nuk ishte një dhëndër dhe një nuse tradicionale, aq më tepër që edhe Grace kishte ardhur në jetë para ceremonisë, kështu që kush më mirë se ajo mund t’u jepte ftesën miqve? Siç e shihni, ftesa nisi me “skandal”. Ishte Grace që lajmëronte se mami dhe babai kishin harruar të martoheshin. Por nuk mbaroi me ftesën. Gjatë gjithë ceremonisë, Grace ishte nusja e vogël dhe kujtimi i ditës së bardhë të Aurelës do të jetë gjithmonë i bukur. Madje, edhe pas disa viteve, kur Abigail të shikojë fotot dhe videot, me siguri do të ndihet xheloze që aty nuk është edhe ajo.

Adrola dhe Adisi
Ishte vetëm 19-vjeç, studente, me shumë plane dhe gjithçka ndryshoi kur mësoi që priste një fëmijë. “Më kujtohet që kalova një periudhë me shumë dyshime, m’u përmbysën shumë plane, nuk dija më çfarë të bëja… Shtatzënia ishte e mbarë, unë isha mirë fizikisht, por mendjen e kisha të turbullt”, – ka treguar Adrola në një intervistë për Class. Por kjo gjendje nuk do të zgjaste shumë. “Më pas erdhi në jetë kjo dashuri, për të cilin ia vlen gjithçka”, – rrëfen ajo duke iu referuar Troit. Troi lindi në Shtetet e Bashkuara dhe mori shtetësi amerikane, por pak muaj pas lindjes, Adrola u rikthye në Shqipëri për të organizuar dasmën me Adisin. Natyrisht, i ftuari më i rëndësishëm ishte Troi.
Edhe pse projektet për Adrolën nuk u ndalën në të ardhmen, jeta mori tjetër rrjedhë: “Kur bëhesh nënë, ti ndjen papritur që asgjë dhe askush nuk mund të vihet përpara fëmijës dhe nuk të hyn asgjë tjetër në sy sa ai. Fëmija është gjithçka…” – tha ajo. Sot, ajo, Troi dhe familja e saj jetojnë bashkë në Amerikë, por Adrola vijon njëkohësisht edhe projektet në modeling.

Fiori dhe Donardi
Më shumë se një vit më parë, lajmi i dasmës së moderatores Fiori Dardha, u kthye në kryefjalën e ditës. Dhe nuk ishte vetëm një ditë. Mediat u morën gjatë me të dhe zbuluan shumë detaje për dasmën – ceremonia që i kishte munguar Fiorit. Marsi i vitit 2017 ishte dysfish një muaj lumturie për Fiorin. Jo vetëm sepse do të organizonte ceremoninë e martesës, por edhe sepse bashkë me Donardin, kishte edhe një dhëndër tjetër – më të rëndësishmin, Abelin, i cili sapo kishte mbushur 5 vjeç.

“Dasmë me dy dhëndurë” u cilësua ceremonia e bardhë e Fiorit, të cilën, siç tha edhe ajo vetë, e shijoi të gjithën deri në fund.

Edhe këtë herë, ashtu si Grace, ishte Abeli ai që i ftoi miqtë në dasmë: “Mami dhe babi jetojnë prej 12 vitesh bashkë. Tani që unë po bëhem 5 vjeç, u kujtuan se duhet të martohen dhe t’i premtojnë njëri-tjetrit dashuri të përjetshme. Mami Fiorin dhe babi Donardin do t’i gëzonte shumë prania juaj në darkën e martesës. Me dashuri, Abeli”, – shkruhej në ftesën e shpërndarë në të gjithë miqtë dhe familjarët e çiftit.

Sara dhe Ledioni
Ceremonia e fundit, ajo e vetëm dy javëve më parë. Edhe Sara dhe Ledioni, pas lindjes së Londonit, kishin dëshirë të organizonin një ceremoni, e cila do të mblidhte të gjithë miqtë e çiftit në një mjedis privat, larg syve kureshtarë dhe zhurmës së madhe të kryeqytetit. Pranë Lago Di Como-s, në Itali, Sara dhe Ledioni i premtuan njëri-tjetrit dashuri deri në fund të jetës. Londonin, ne nuk e pamë, por me siguri, edhe ai i ka parë me admirim prindërit në një ditë të madhe, të cilën do ta kuptojë disa vite më vonë. Po me aq rëndësi do të vlerësojë edhe praninë e tij në një prej vendeve më të bukura në Itali. Lago Di Como, një prej destinacioneve më të frekuentuar nga VIP-at, nga Sara dhe Ledioni do të kujtohet gjithë jetën. Edhe nga London, personazhi kryesor i kësaj ceremonie, pa dyshim, po njëlloj.
Pritet që shumë shpejt, kësaj liste t’i shtohen edhe personazhe të tjerë të njohur. Floriana Garo, e cila në mars të këtij viti ka sjellë në jetë vajzën Adia, ka shprehur dëshirën për të bërë një dasmë të madhe në Tiranë, por kohën nuk e ka përcaktuar. Ndoshta Floriana pret edhe pak të rritet vogëlushja, që të bëjë gati edhe ajo ftesat. Por edhe Adelina Tahiri, e cila vetëm dy ditë më parë ka mirëpritur në jetë Jonin, djalin e saj, ka thënë se do të ketë një dasmë të madhe. Tuna dhe Patrisi, ndoshta gjithashtu? /revistaclass.al