Debati për shkollat/ Pse Komiteti i Ekspertëve, mendon që nuk duhen mbyllur!
Sot në deklaratën për median Komiteti Teknik i Ekspertëve, njoftoi se masat e marra në 9 nëntor, do të mbeten në fuqi deri në një afat të papërcaktuar. Sa i përket shkollave, zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, u shpreh se mësimi do të vijojë i alternuar sipas skenarit 2 të ministrisë së Arsimit.
Ndërkohë për skenarin 3, që parashikon vetëm mësimin online, Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se është një vendim që i takon tërësisht Komitetit Teknik të Ekspertëve. Ditën e sotme, Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, nuk foli në lidhje me shkollat por kopshtet dhe çerdhet, ku tha se nuk është evidentuar asnjë shpërthim masiv në këto muaj.
“Aktualisht sa i përket sistemit parashkollor, nuk kemi evidentuar problematika sa i përket pozitivitetit apo trendit në rritje të rasteve të konfirmuara. Në grup moshën 0-4 vjeç kemi një incidencë shumë të ulët, 0.7-0.8% të rasteve. Nuk kemi evidentuar asnjë shpërthim masiv në kopshte apo çerdhe”.
Ndërkohë që shumë vende kanë mbyllur shkollat, në Shqipëri, sipas Komitetit të Ekspertëve, ende nuk është parë i nevojshëm ky hap.
Por debati për shkollat është i gjerë. Shumëkush mbështet mësimin online, për shkak të numrave të rasteve të reja në rritje, por edhe për shkak të paqartësisë së skenarit 2 në shkolla, të mësimit të alternuar.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha dje mbyllja e shkollave, duhet të bëhet sa më shpejt, për të frenuar përhapjen e virusit. Por më herët zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se që prej 14 shtatorit kur janë hapur shkollat, nuk është parë asnjë ndikim i tyre, në rritjen e rasteve të konfirmuara me kovid.
Ndërkohë në Greqi dhe Itali, shkollat vijojnë të jenë të mbyllura. Ndërsa Kosova vendosi dje që ky vit shkollor të mbyllet me 18 dhjetor dhe të nisë më 18 janar./