Dëgjohen rrahje zemre në rrënojat e Beirutit, një muaj pas shpërthimit fatal

Një muaj më parë, Beiruti u trondit nga një shpërthim i fuqishëm që rrafshoi qytetin. Më shumë se 200 persona ndërruan jetë, ndërkohë që 300 mijë njerëz kanë mbetur të pastrehë. Ngjarja është në hetim e sipër, pasi ka akuza se ishin paralajmëruar se depozitimet në port ishin të rrezikshme dhe nëse shpërthenin, do të kishin pasoja fatale.

Skuadrat e shpëtimit, shoqëruar nga vullnetarët, po kërkojnë ende nën rrënoja për njerëzit që rezultojnë të humbur dhe një lajm i mirë ka ardhur ditën e djeshme nga terreni. Kërkuesit nga Kili po kalonin pranë një ndërtese, kur qeni i tyre dha një sinjal se një person ishte gjallë nën rrënoja. Sërish ai u rikthye në të njëjtin vend disa orë më vonë, duke dhënë të njëjtin sinjal. Më pas, grupi përdori skanerin që kërkon për rrahje zemre apo frymëmarrje dhe filluan të gërmojnë në rrënoja.

Vullnetarët po heqin copëza me dorë, pasi ndërtesa rrezikon të shembet plotësisht. Korrespondetët e Al-Jazeera tregojnë se “skuadrat e shpëtimit kanë identifikuar një trup i cili mund të jetë i një personi me rrahje zemre nën rrënoja.” Nuk dihet ende sa mundësi ka, pasi sipas studimeve njeriu mund të mbijetojë pa ujë vetëm disa ditë.

Burimi: BBC

Share With:
Translate »
621 Views