Dhuna dhe bullizmi në shkolla, në rritje
Dhuna fizike dhe sidomos bullizimi në shkolla është në rritje. Sipas psikologëve ky është një tregues që dhuna në shoqëri dhe familje është shtuar. Ekspertët thonë se fenomen shqetësues është keqpërdorimi i teknologjisë dhe shembujt e gabuar në rrjetet sociale.
Videoja tronditëse e dhunës mes nxënësve të shkollës 9-vjeçare të “Kongresit të Manastirit” për psikologet është një tregues se dhuna në shkolla dhe shoqëri është rritur. Por sipas eksperteve familja është hallka kryesore në mirërritjen dhe edukimin e një fëmije, ndërkohë që bëjnë me përgjegjësi dhe mos funksionimin e disa hallkave në shkolla.
“Ka mjaft hallka që nuk funksionojnë siç duhet. Duke parë një video të tillë, opinioni ka prirjen të ndahet dhe disa t’ja vënë fajin familjes, disa shkollës e disa psikologëve. Unë mendoj se të gjithë në këtë situatë që jemi kanë fajin e vet.”
Duhet të krijohen klasat e prindërimit sepse e shikoj që ka shumë fenomene të reja për të cilat prindërit nuk janë në dijeni. Familja duhet të bëjë pjesën e saj, shkolla e shoqëria. Duhet të jemi si një ekip që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të shëndetshëm.”
Sipas Arjola Manrekut, psikologe pranë shkollave të kryeqytetit tha se ato ndeshen me fenomene të tila shumë shpesh.
“Konfliktet fizike janë më të pakta por ne përballemi me bullizmin, fyerje, etiketime.”
Teknologjia dhe shembujt e gabuar që vijnë nga rrjetet sociale janë një tjetër fenomen shqetësues që ngrenë psikologët.
“Materialet me përmbajtje të lartë dhune, agresiviteti shpërndahen shumë më shpejt sesa ato me përmbajtje pozitive, edukuese. Ne nuk duhet të lejojmë që fëmijët të ekspozohen vazhdimisht ndaj këtyre videove pa kurrfarë kontrolli. Materiale që vijnë nga të gjitha anët, ajo që nuk përbën vlerë shpërndahet më shumë dhe përqafohet më shpejt. Kur e bëjnë të rriturit, fëmijët e kanë më të thjeshtë t’i marrin për model.“
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, veç 4 vajzave të mitura të përfshira në konfliktin fizik është shoëruar edhe një djalë bashkëmoshatar që ka xhiruar videon. Të gjithë jane të moshës 13 dhe 14 vjeç, të shkollës 9-vjeçare “Kongresi i Manastirit”.