Dhuna në familje, rekord rastesh brenda muajit

Shumica e lajmeve që publikohen në televizione, portale apo dhe emisione kryefjalën e tyre kanë dhunën qoftë ajo dhunë në familje apo edhe dhunë për arsye të tjera.

Në javën që lamë pas një sërë ngjarjesh të dhunës në familje “grisën” faqet e gazetave dhe “krisën” ekranet televizive .

Gjyqi i shëmtuar publik që ju bë një 20 vjeçareje mori vëmendje të madhe pasi pas tij fshihej një tradhëti bashkëshortore. Vajza përfundoi në psikiatri. Ishte martuar pa dëshirën e saj, prej vitesh jetonte me prindërit e një bashkëshorti i cili nuk kryente detyrat që i takonin, pasi ishte emigrant në Angli.  E reja ishte dhunuar disa herë madje kishte përfunduar edhe në një strehëz për gratë e dhunuara një vit më parë.

Kjo nuk është ngjarja e vetme e cila ka shokuar opinionin publik.

Të ftuar në emisionin “Jeto me orën”, gazetari Flavio Qarri, psikologia Valentina Telhaj, avokatja Gjystina Gjolloshi dhe ekspertja e çështjeve sociale Rajna Kovaci diskutuan në studion e emisonit të pasdites shkaqet pse ndodh kjo gjë si dhe se si duhet trajtuar dhe përshkallëzuar ky “fenomen”.

Rajna Kovaci shprehet se “ Dhuna në vendin tonë nuk është të bërtasësh por të ulërasësh pasi është një fenomen i llahtarshëm”.  Sipas saj shkatërrimi i familjes ndodh që në momentin kur njëri nga bashkëshortët largohet në emigrim.

Ndërsa sipas Flavio Qarrit, keqqeverisja është shkaku kryesor i shkatërrimit të një familjeje dhe dhunës së ushtruar brenda saj.

“Një gjë që duhet theksuar është pandemia, tërmeti, lufta etj kanë ndikuar shumë disekuilibrat emocionalë, gjë e cila çon në probleme psikologjike, prishje të balancave familjare”, shprehet psikologia Valentina Telhaj.

Sipas saj dhe traumat individuale dhe kolektive janë ato që kanë ndikuar më së shumti në prishje të ekuilibrave familjarë. Edhe në ditët e sotme denoncimi i dhunës në familje si dhe bërja publike e këtij fenomeni është akoma një tabu, pasi në një farë mënyre një grua dhe një vajzë në vendin tonë nuk e ka mbështetjen e duhur sa i përket çështjes së dhunës.

Avokatja Gjustina Gjolloshi shprehet, “ Më vjen shumë keq që ne jemi akoma një familje patriakale pasi femra duket shumë e shtypur dhe pa të drejta, dhe duket se janë shkelur ligjet morale dhe si për rjedhojë janë prishur edhe ligjet fizike”.

“Një tjetër “defekt” që ka vendi ynë dhe që çon në prishje të familjes dhe martesës është edhe mos këshillimi martesor.  Sa i përket medias, një pjesë e fajit qëndron edhe mbi ta pasi shumica e medias siç janë portalet online nuk e ruajnë etikën”, shprehet Gjolloshi.

Share With:
Translate »
125 Views