Diellza thyen çdo paragjykim për ngjyrën e errët tek bebet. Helena duket si kukull veshur me të zeza
Shqiptarët janë miqësuar shumë me të zezën. Para viteve ’90 ishte ngjyrë që e vishej veç nga të moshuarat dhe në raste fatkeqësie, kurse vajzat dhe nuset e reja as që mendohej se mund të vishnin fustane të zinj. Fëmijët? Pupupu… s’bëhej fjalë.
Por nëse të rriturit u pajtuan shpejt me ngjyrën elegante (duke ia përmbysur edhe funksionin strikt të dikurshëm, sepse tani as zija nuk është më rigoroze dhe aq e gjatë), tek fëmijët e sidomos tek bebet, prapë mamatë përtypen. Në mos mamatë e reja, mamatë e mamave thartohen pak nëse shohin nipin a mbesën e sapolindur të veshur me ngjyrën e errët.

Shumica e nënave qëndrojnë më të sigurta tek zona klasike rozë për vajzat dhe bojëqielli ose blu për djemtë, me një të bardhë të përbashkët, që u “lejohet” të dyja gjinive. Kurse Diellza, që ka veç tre muaj që ka lindur Helenën, nuk ka asnjë barrierë ndaj ngjyrës së zezë. E ka veshur aq shpesh të bijën me atë ngjyrë, ose nëse jo gjithë veshjen, një aksesor në kokë.

Dhe Helena duket vërtet e bukur si me të zeza si me të bardha. Sepse ka tiparet e mamit, por edhe sepse bebet duken bukur me çdo ngjyrë.

Mbase roza e bojëqielli s’do dalin ndonjëherë nga moda, por po shtohen gjithnjë e më shumë mamatë e reja që refuzojnë t’i veshin bebet me ngjyrat klishe.

A nuk po bëjnë shumë mirë? Pse një vajzë duhet të vishet patjetër me atë rozën e ndezur kurse djemtë detyrimisht me bojëqielli? A nuk duket se Diellza ka bërë zgjedhje më të veçantë për Helenën e porsalindur?/ Tiranapost.al