Diola Dosti viziton familjen që e kishte strehuar gjatë luftës në Kosovë
Diola Dosti i shkoi për vizitë familjes nga Malisheva, anëtarët e të cilëve i kishin strehuar në Shqipëri gjatë luftës në Kosovë.
Ajo ndau disa fotografi nga ky takim i veçantë, bashkë me shkrimin që tregonte historinë prekëse të kësaj familjeje, që si kjo edhe mijëra të tjerë u detyruan të kërkonin strehë gjatë asaj periudhe të dhimbshme për shqiptarët
Diola theksoi madje se babai i saj u kujdes që pas përfundimit të luftës t’i kthente personalisht ata në vendlindjen e tyre, në shtëpinë që fatkeqësisht jua kishin djegur gjatë luftës.
“Ishte viti 1999, kur zemra dhe dyert e familjes time, në vendlindjen time në Shqipëri, u hapën për këtë familje shqiptare nga Kosova, në kohën e luftës Kosovë- Serbi. Një familje e madhe që u bënë familja jonë! Pas luftës, babi u kujdes që t’i kthente vetë në shtëpinë e tyre, të cilën fatkeqësisht, jua kishin djegur. Kishim dhe një familje tjetër shumë anëtarëshe për të cilën kujdeseshim, por nuk kemi kontakte me ta fatkeqësisht.
“E sot, pas 25 viteve, ne u ritakuam me pothuajse të gjithë familjen. Ajo që mund të them, është që këta njerëz, më kanë bërë të dua një herë e përgjithmonë çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën. Linja ime e jetës, e vërteton këtë! Jam shumë e lumtur që sot Kosova gëzon lirinë me njerëz të mrekullueshëm sepse edhe pse s’kam qenë prezente në luftë, por gjithçka të përjetuar nga kjo familje në Malishevë, e kemi ndarë dhe ndjerë bashkë!”, ka shkruar Diola në postimin prekës.
View this post on Instagram