Djali i bën surprizë Josif Gjipalit ‘Në kurthin e Piter Panit’
Në një intervistë tërësisht të lirë, ndryshe nga të gjitha herët e tjera, tenori i njohur Josif Gjipali është përballur sonte me fëmijët e Piter Panit. Gjatë rrugëtimit të tij, Gjipali ndau me fëmijët dhe publikun kujtimet e skenave dhe prapaskenave të mëdha botërore.
Por nuk e priste që një ‘mik’ i tij shumë i mirë do t’i bënte një surprizë. Në fakt, ishte Gjoni, djali 8-vjeçar, i cili hyri papritur në skenë.
“La donna è mobile” me zërin e Gjonit erdhi surprizë jo vetëm për Josifin, por edhe për të gjithë publikun.
“Kisha emocione…”,- tha Gjoni pas performancës përshëndetëse për të atin dhe publikun, por më shumë kishte merakun se nuk ishte i sigurt në cilin akord i duhet të niste këngën.
“Ëndrra ime është të bëhem tenor”, – tha ai dhe pas kësaj, edhe Gjipali e përforcoi: “Gjoni është bombarduar aq shumë duke dëgjuar, saqë në moshën e tij nuk kam parë fëmijë që të ketë kaq shumë emocion dhe kaq shumë dashuri për muzikën”, – tha i emocionuar për surprizën që nuk e priste nga i biri.