‘Djali u përpoq të shpëtonte të ëmën’, flet i mbijetuari i tragjedisë në Himarë

Mëngjesin e sotëm është mbytur një peshkarexhë në Himarë, në të cilën ndodheshin shtetasi R.R, gruaja, djali i tyre dhe një mik i afërt i familjes.

Peshkarexhën e ka zënë stuhia dhe fatkeqësisht gruaja është mbytur në det. Shërbimet e Policisë Kufitare kanë arritur të shpëtojnë tre personat e tjerë.

Miku i afërt i familjes, Fatjon Resulaj ka treguar për “News 24” se varka e tyre është goditur nga një ciklon me shi.

“U nisa në 6.00 sot nga Moli i Himarës. Ishte fillimisht koha e mirë, ndërsa për 10 minuta u bë ciklon me shi dhe përmbysi varkën. Ne e pamë nga larg dhe ishte vonë. Ishim katër vetë. Ishte shoku im së bashku me djalin dhe nusen e tij. Zonja është e humbur dhe vazhdojnë kërkimet.

Pasi u përmbys anija, ne u mbajtëm tek anija fort. Djali u përpoq që të shpëtojë nënën, edhe ne, por situata ishte e rëndë shumë. Kemi bërë 5 kilometra rrugë dhe donim që ta shpëtonim, por ishte shumë e vështirë, mund të na rrëmbente rryma edhe neve”, tha ai.

Fatkeqësisht kërkimet kanë përfunduar pasi është gjetur e mbytur gruaja, e cila kishte humbur në det.

 

Share With:
Translate »
394 Views