Dokumenti ekskluziv! Zbulohet djali i jashtëligjshëm i Faik Konicës
Një zbulim tronditës historik u bë publik për herë të parë në emisionin “Dekalog” nga gazetari Roland Qafoku në DritareTV. Gazetari shqiptar në Brukseli, Sakip Skepi, solli një dokument ekskluziv që ndryshon gjithçka që dimë për jetën private të një prej figurave më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, Faik Konicës.
Bëhet fjalë për një çertifikatë lindjeje zyrtare, të nxjerrë nga regjistri civil i komunës së Sen-Zhilit në Bruksel, e cila tregon se Faik Konica ka qenë baba i një djali të quajtur Shishko Bey Konica, lindur më 24 qershor 1897, kur vetë Konica ishte vetëm 22 vjeç.

Në dokument figuron si nënë e fëmijës një grua franceze me emrin Sofie Anet, 17-vjeçare në atë kohë. Nuk ka të dhëna që ata të kenë qenë të martuar zyrtarisht, çka lë të kuptohet se djali i Faikut ka qenë i lindur jashtë martese.
Sipas Skepit, dokumenti është i pakontestueshëm dhe përmban të dhëna të detajuara, përfshirë kombësinë e regjistruar të Faik Konicës (e shënuar si “turke”, për shkak të regjistrimeve të kohës osmane), si dhe adresën e banimit të çiftit në Bruksel.
“Ky është një dokument që i përket arkivës zyrtare të regjistrit civil belg dhe për herë të parë hedh dritë mbi një aspekt të panjohur të jetës së Faik Konicës,” – tha Skepi në emision.

Emri i pazakontë “Shishko Bey Konica” ngjall kuriozitet për më shumë hulumtime mbi jetën dhe fatin e këtij personi që deri më sot nuk është përmendur në asnjë biografi apo dokument zyrtar për Faik Konicën.
Ky zbulim hap një kapitull të ri për studiuesit e historisë dhe për figurën e Faik Konicës, njeriu që përfaqësoi Shqipërinë si ambasador në SHBA, por për të cilin ende zbulojmë fakte të reja, më shumë se një shekull më vonë.
