Duart, kapela, fotografia… diçka mbeti nga truket e Marina Vjollcës për të fshehur ‘shtatzëninë’
Marina dhe Geti, këtë verë, më shumë se çdo sezon tjetër, kanë shijuar pushime të gjata. Një koncert i Getit apo edhe një shëtitje në një vend të pavizituar më parë nga çifti kanë mjaftuar si arsye për të fluturuar nga njëri ishull në tjetrin, nga njëri breg në tjetrin. Në fillim, si një çift i rezervuar për të zbuluar shumë nga jeta private, Marina dhe Geti përshëndetnin pa dhënë destinacione, por ishin vetëm disa postime e më tej, gjithçka nisi të bëhej më transparente – edhe vendet që vizitonin, edhe disa prej momenteve magjike të natyrës, që në qendër kishin bukuroshen bionde të ekranit …

Ndryshe nga Geti, Marina ka pasur edhe një argëtim tjetër këtë vit me rrjetin. Ndonëse pa dëshirën e saj, por ngacmuar nga ajo, fotot e para nisën ta “fshehin” barkun. Moderatorja e njohur pati një dëshirë të madhe që të zbulonte vetëm portretin, pjesën e sipërme të trupit apo edhe foto në profil. Më tutje, pasi lajmet për një shtatzëni të dyshuar nisën të rishkruheshin (sërish e sërish), Marina nisi me qëllim të argëtohej me fansat e saj, por edhe me mediat. Tani, fotot postoheshin më të plota, vetëm se moderatorja kishte nisur t’i mbante duart në bark… me gjasë, po mbulonte barkun e rrumbullakosur.

Ky fakt u bë aq viral, saqë, nëse Marina lëvizte duart nga barku, disa prej mikeshave apo njerëzve të afërt (mes tyre edhe Luana), nuk harronin t’i kujtonin që të bënte kujdes me duart (nëse i vendoste në kokë, do të nisnin lajmet për dhimbje koke?)
Ca ditë më parë, Marina postoi një video në të cilën luante me zogjtë, por sërish vendosi të vazhdojë lojën me rrjetin. Kapelën e mbante pranë barkut, madje postoi edhe foto me të njëjtin pozicion të kapelës së saj. S’mund të mungonin as këtë herë lajmet… Kush e kapi i pari lajmin se Marina ka vendosur kapelën pranë barkut për të mbuluar shtatzëninë? Apo nuk ka edhe aq shumë rëndësi kjo tani? Gjithsesi, edhe këtë herë, ne ramë në “grackë”.
Sot, Marina e hoqi kapelën nga barku. Po tani cili është titulli që do t’i vendosim lajmit? Në fund të pushimeve të saj me bashkëshortin, Marina ia arriti qëllimit “të argëtohej” dhe të fitonte vëmendje, qoftë edhe në këtë formë, me duart, kapelën, mënyrën e fotografisë…
Nëse ishte me qëllim për të fshehur shtatzëninë, në fund të së gjithës ia arriti, sepse sinjalet i dha. Nëse jo, pra nëse nuk është shtatzënë dhe i vjen për të qeshur me lajmet që lexon në rrjet, atëherë ne të tjerët duhet të ndryshojmë qëndrim… Derisa të postojmë më në fund një lajm të vërtetë. Kur Marina të jetë vërtet duke pritur fëmijën e parë. Atëherë lajmi do të jetë vërtet i bukur e do të ketë kuptim.
