Durrës, po luante në kopsht, 4-vjeçarja bie në pusetën e hapur

Një vajzë 4-vjeçare ka rënë në pusetën e hapur të kopshtit teksa luante në oborr. Ngjarja ka ndodhur në Durrës dhe fatmirësisht vogëlushja ka shpëtuar pasi një djalë 30-vjeçar i ka ardhur në ndihmë. Puseta ishte rreth 2 metra e thellë dhe e mbushur me ujë. Në momentin e ngjarjes, 4-vjeçarja ishte duke luajtur me bashkëmoshatarët e saj. Ishte 30-vjeçari që për fat të mirë e pikasi vogëlushen në momentin kur ndodhi aksidenti dhe kapërceu murin e kopshtit për ta shpëtuar.

Vogëlushja është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit, pasi kishte marrë gërvishtje në pjesë të ndryshme të trupit dhe kishte pësuar shok psikologjik.

“Isha duke kaluar rastësisht. Ktheva kokën nga kopshti, pasi kishte zhurmë fëmijësh. Kur në moment që ktheva kokën, ra një vajzë në pusetë. Nuk mendova gjatë dhe kapërceva murin rrethues dhe shkova e nxora. Ajo po përpëlitej në ujë, ishte vetëm çështje kohe që të mbytej në ujë. Jam shumë i gëzuar që u gjeta në atë moment në atë vend, pasi i shpëtova jetën”, ka thënë djali që shpëtoi vajzën ndërsa prindërit janë shprehur të revoltuar që nuk janë marrë masa për të vendosur kapak pusetës.

Burimi: Panorama

Share With:
Translate »
729 Views