Dy javët e para të shkollës, përsëritje. Ministrja Shahini tregon si do mbulohen turnet nga mësuesit

Dy javët e para të shkollës që nis zyrtarisht me 14 shtator do të jenë përsëritje e mësimeve për të gjithë ata nxënës që kanë pasur mangësi gjatë mësimit në kushte shtëpie nga pandemia e virusit. Lajmin e bëri me dije vetë ministrja e Arsimit Besa Shahini në një mesazh me video në Facebook, pas takimit me drejtuesit e drejtorive dhe Zyrave të Arsimit Parauniversitar.

Ministrja thotë:

Kemi bërë një riorganizim të planeve mësimore që dy javët e para të fillimit të vitit të ri shkollor, apo dy javët e fundit të shtatorit, do të jenë përsëritje, për të gjithë nxënësit që kanë marrë mësim në kushte shtëpie dhe që nuk ndihen me vetëbesim të plotë, që i kanë marrë mësimet në mënyrë të njejtë siç do t’i merrnin po të ishin në shkollë”.

Lidhur me mësimin online e cila do ndërthuret për nxënësit e shkollave të cilët nuk do mund të sistemohen dot me turne në shkolla të tjera, Shahini tha se platforma është gati.

Paralelisht, kemi bërë dhe gjithë ndërtimin e platformës për mësim online dhe organizimin e punës për mësim në kushte shtëpie. Kjo do të na ndihmojë më shumë sidomos në zonat ku ndoshta shkollat nuk mund të punojnë me orar të plotë për të gjithë nxënësit dhe ata duhet të bëjnë mësim të kombinuar. Një pjesë në shkollë dhe disa lëndë në shtëpi me mësim online.

Por si do bëhet mësimi dhe si do përballohet nga mësuesit?

Ministrja Shahini tha se është ndarë buxheti i nevojshëm për të shtuar mësues nëse do të ketë nevijë për të mbuluar më shumë turne, apo mësues që duan ditë të lira në raste të problematikave të ndryshme.

Videoja e ministres mbyllet me mesazhin e ndërgjegjësimit:

Shpresoj që kjo gatishmëri për t’u kthyer në shkollë, të vijë edhe me një rritje të përgjegjshmërisë nga të gjithë pjesëmarrësit në shkollë që të përgatiten sa më shumë që është e mundur për ta ruajtur shëndetin e vet, si dhe shëndetin e atyre që i kanë përreth, si në shkollë, bashkëmoshatarët e tyre dhe mësuesit, apo edhe kur të kthehen në shtëpi, anëtarët e familjes”.

Share With:
Translate »
716 Views