Dy tragjedi brenda vitit! Djali i madh vdiq bashkë me të dashurën, nëna e Altin Hotit: Kam humbur 3 fëmijë
Ura e tragjedisë është shndërruar në një altar me lule e drita, një vend i dhimbshëm pelegrinazhi ku mbizotërojnë lotët e përqafimet për humbjen e tre të rinjve, të gjithë në të 20-at e tyre: Altinit, Eglit dhe Giulia-s. Fotot e tyre qëndrojnë të vendosura pikërisht aty, bashkë me hapësirën boshe të barrierave që tashmë mungojnë pasi u morën para nga makina me të cilën ata udhëtonin. “Ishin miqtë e mi, shiko sa të bukur janë”, prek me fjalët e saj një vajzë e re. Prek fotot lehtë dhe shton “i vendosëm mbrëmë në darkë, duheshin dhe e lanë këtë botë bashkë”, duke iu referuar Altinit dhe Giulia-s, të cilët ishin të dashur.
Dhimbja e nënës Dorotea
Shtëpia ku jetonte Giulia është pak minuta larg vendin të ngjarjes. Nëna Dorotea nuk ndodhet aty, është ende nën shok. Ka shkuar në shtëpinë e të afërmve, por nuk mund të gjejë paqe. Ishin shumë të lidhura, thonë të gjithë. 20-vjeçarja ishte e apasionuar pas gjimnastikës artistike, aq sa ishte bërë mësuese. Një vajzë që të gjithë e përshkruajnë të qeshur, të shkathët, plot jetë e entuziazëm, bujare dhe të përkushtuar. Aktualisht po ndiqte një kurs online Ekonomie, përveçse punonte. Mbi tavolinën e saj në dhomën e gjumit ka ende libra, e oraret e leksioneve. Babai Vittorio kërkoi mëngjesin e së shtunës në morg që të shihte të bijën. Nuk qe e mundur, nuk ishte ende momenti dhe dhimbja prevaloi.
Dhimbja e prindërve
Në shtëpinë e Giulia-s, gjatë pasdites, kushërinjtë e saj, Alessandro dhe Lorenzo kujdesen për 3 qentë e çiftit. Kushërinjtë u rritën bashkë, në dy vila të vogla që janë të vendosura përballë njëra-tjetrës. Lorenzo dhe Giulia ishin një moshë dhe u rritën si të ishin vëlla e motër. “Unë dhe Altini ishim miq, jemi njohur në shkollë, do ta dua gjithmonë fort, por më mori kushërirën”, thotë duke mbajtur lotët. “Por nuk mund të them që nuk e kam me të inatin. Bëri një budallallëk, ishte i papërgjegjshëm. Megjithatë të thuash që ka qenë faji i Altinin, apo që e ka vrarë ai, janë dy gjëra të ndryshme. Ai nuk donte t’i bënte keq, e donte shumë”.
Altini, pasi humbi vëllain e tij më të vogël Admirin, në Maj të këtij viti për shkak të një aksidenti me makinë, nuk ishte më i njëjti. “Nuk donte të dilte, nuk donte të fliste, nuk donte të dëgjonte ato ngushëllimet e vazhdueshme”, vijon Lorenzo. “Që prej asaj dite nuk punonte më, tani po kërkonte diçka. Ngushëllimi i vetëm ishte ajo BMW që kishte blerë me kursimet e punëve të para, pasioni i përbashkët që kishte me vëllain e tij të vogël. Nuk ishte mirë”. Atë natë, tregon kushëriri, “i kisha kërkuar Giulia-s dhe Altinit që të vinin tek shtëpia ime, kishin ardhur edhe herë të tjera. Por fillimisht nuk donin të dilnin, folëm me mesazhe. Ndërsa makinën e morën bashkë me Eglin dhe nuk u kthyen më”.
“Kam humbur 3 fëmijë”
Në shtëpinë e 22-vjeçarit Altin Hoti, drama është ajo e një nëne që në pak muaj ka humbur dy djem. “Kam humbur tre”, thotë ajo duke qarë. E pamundur për ta ngushëlluar, sepse Giulia-n e kishte si vajzë. 20-vjeçarja, pas tragjedisë së parë që kishte goditur familjen ishte përpjekur në çdo mënyrë për t’i qëndruar pranë të dashurit dhe nënës së tij. Miqtë e tjerë ndihen gati me fat. Kush nuk hipi në makinë, kush u largua pak më herët, kush e kishte lënë për të dalë, por e zuri gjumi, si Vittorio. “Fati i tha që nuk ishte momenti i tij”, komentojnë njerëzit e mbledhur fare pranë urës tragjike.
BMW-ja dhe miqtë
Sami Binakaj, presidenti i komunitetit kosovar dhe shqiptar në Venezia, përcolli solidaritetin për familjet Gjeci dhe Hoti. “Nuk mund të vdesësh kështu në moshën 20-vjeçare. Prindërit duhet të flasin me fëmijët, është e nevojshme që të flasin në shtëpi. Shpejtësia merr jetë”. Pasioni për makinat tek djemtë për Binakajn është edhe një mesazh: “Një makinë e madhe dhe e shpejtë është një mënyrë për ta që të ndihen më të rritur. Nuk e kuptojnë sa e rrezikshme është”.
Nga aksidenti tragjik që ndodhi gjatë orëve të natës të së premtes humbën jetën dy të rinjtë shqiptarë, Altin Hoti dhe Egli Gjeci, si dhe e reja italiane Giulia Di Tullio. Egli ishte me origjinë nga Shqipëria, ndërsa Altini me origjinë nga Kosova. Të tre jetonin në Portogruaro. Altini ishte prej 2 vitesh në një lidhje me Giulia-n dhe ishte në drejtimin e automjetit kur ndodhi tragjedia e trefishtë.
Sipas hetimeve të deritanishme, BMW-ja ishte me shpejtësi të madhe. Dëshmitarë thanë se makina vijoi drejtë në një kthesë, duke marrë para barrierën e urës dhe përfundoi në lumë. Sipas autopsisë, tre të rinjtë humbën jetën si pasojë e mbytjes. Altin Hoti vetëm 6 muaj më parë humbi vëllain e tij të vogël Admir Hoti në një aksident me makinë. Ai ishte vetëm 18 vjeç.
Burimi: Corriere della Sera