Dyshohet se u helmua nga e ëma, infermieria tregon momentet e fundit të 9-vjeçares në Greqi
29 janari ishte dita fatale kur Georgina e vogël nga Patra u nda nga jeta. Tashmë nëna e saj, 33-vjeçarja Roula Pispirigou është e dyshuara kryesore pasi rasti dyshohet të jetë vrasje.
Një nga infermieret e spitalit ka treguar momentet e fundit të vogëlushes në spital dhe sjelljen aspak të zakontë të së ëmës. Ajo thotë se 33-vjeçarja iu afrua e qetë, dhe për një moment iu krijua përshtypja se do t’i kërkonte një çarçaf apo diçka tjetër.
E pandehura 33-vjeçare, duke iu afruar infermieres, i ka thënë me zë të ulët diçka që ajo nuk e ka dëgjuar dhe as nuk e ka kuptuar. Megjithatë, kur infermierja kuptoi se fëmija po kalonte një tjetër krizë njoftoi mjekun kujdestar dhe në pak sekonda ata ishin në repartin ku ajo ndodhej e shtruar.
Me të hyrë në dhomë, sipas raportimeve të mediave në vend, ata panë që 9-vjeçarja ishte në gjendje të rëndë.
Në atë moment edhe mjeku edhe infermierja vunë re se oksimetri i ngjitur me fëmijën nuk dëgjohej. Në veçanti, tingulli karakteristik i prodhuar nga ky instrument mjekësor nuk u dëgjua as kur pulsi s’po ndihej më. Fëmija u intubua sërish por pak më vonë në orën 15.50 ndërroi jetë.
Në trupin e Georginës më pas u gjet një sasi e madhe ketamine që shpalosi misterin për vdekjen e tre fëmijëve të gruas në Patra. Detajet që plotësojnë enigmën e vdekjes së 9-vjeçares në spitalin “Aglaia Kyriakou” më 29 janar janë pasqyruar në dosjen voluminoze që është krijuar për rastin.
Sipas dosjes të çështjes, asnjë nga mjekët dhe infermierët nuk i ka dhënë fëmijës ketaminë. E ëma ka qenë gjithmonë e pranishme dhe pranë 9-vjeçares. Figura qendrore në këtë krim të paprecedentë është Roula Pispirigou, e cila tashmë po ndiqet penalisht për vrasje me paramendim ndaj vajzës së saj.