E ëma i hapi rrugën, Mbreti i Danimarkës Frederik X merr fronin
Danimarka ka hyrë në një epokë të re, pasi Mbreti Frederik X u ngit në fron pasi e ëma, Mbretëreshë Margret II hoqi dorë prej detyrës së saj në krye të mbretërisë.
Për shumë njerëz në Danimarkë, Margreta ishte e vetmja monarke që kanë njohur. Por heqja dorë nga froni pas pesë dekadash mbi të i hapi rrugën të birit, ish-princit të kurorës Frederik, që të bëhej monarku i ri. Dorëzimi i detyrës u zhvillua në pallatin Kristiansborg, godina e parlamentit në kryeqytetin Kopenhagen, ku Margret nënshkroi dokumentin përkatës, duke ia transferuar zyrtarisht kurorën Frederik.
Mbreti i ri dhe bashkëshortja e tij, tashmë Mbretersha Mary, e lindur në Australi, dolën në ballkonin e pallatit ku kryeministrja Mette Frederiksen njoftoi publikisht ngjitjen e mbretit në fron, një traditë kjo që vijon që nga viti 1849. Në ballkonin e godinës së parlamentit, mbreti u shfaq i emocionuar ndërsa përshëndeti turmën, ndërkohë që nuk mungoi as një puthje mes tij dhe mbretëreshës së re.
Danimarka nuk u bë vetëm me një mbret dhe mbretëreshë të re, por gjithashtu ka dhe një trashëgimtar të ri të fronit. Ai është princi i kurorës Kristian, fëmija më i madh në moshë i çiftit mbretëror.
Kristian është 18 vjeç dhe ende ndjek shkollën, por tashmë do të ketë një rol më të madh në jetën publike. E ndërsa ceremonia e së dielës nuk pritej të ishte shumë madhështore, kjo nuk ndodhi. Dhjetëra mijëra nga i gjithë vendi, por edhe nga vende të tjera u mblodhën për të përshëndetur mbretin e ri Frederik X të Danimarkës.