E mbajti në shtëpi për 16 vite, Elona Nallbani: Nuk doja të bashkëjetoja me vjehrrën
Elona Nallbani, ish-balerina e njohur e TKOB dhe njëkohësisht pedagoge, është kundër bashkëjetesës së çiftit me prindërit e njërës palë. Ajo ka jetuar për 16 vite me mamanë e bashkëshortit dhe tregon hapur në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se fillimisht nuk e dëshironte këtë gjë. Ende sot ajo ka të njëjtin mendim pasi e cilëson shumë të rëndësishme pavarësinë dhe privatësinë që një çift duhet të ketë.
Elona Nallbani: Personalisht, duhet të jem shumë e drejtë kur flas, shumë e sinqertë. Unë nuk kam dashur të bashkëjetoj me vjehrrën. Në psikologjinë time dhe në atë që doja unë të jetoja, ishte që të kisha absolutisht një familje më vete. Nuk kam asnjë kundërshtim dhe jo tani, por derisa të kem frymë që prindërit janë shumë të rëndësishëm për këdo nga ne. Unë gjithmonë kam menduar që ashtu siç do të doja dhe dua prindërit e mi sepse të mitë nuk jetojnë prej vitesh, absolutisht marr parasysh të njëjtën ndjenjë që do të kishte dhe ka edhe bashkëshorti im dhe nuk e vë fare në diskutim që më duket shumë primitiv dhe injorant që të isha kaq egoiste dhe të thosha që shiko se këta janë prindërit e mi dhe këta janë prindërit e atij. Jo! Absolutisht nuk e mendoj këtë gjë. Që të jem e sinqertë, nuk kam dashur të bashkëjetoj. Sigurisht ishin rrethanat që na çuan në bashkëjetesë. Unë isha shumë e re kur u bëra me fëmijë të jem e sinqertë dhe është ajo shprehja e vjetër popullore kur thonë që nuk di nga lidhet gomari, unë isha personifikimi i gjallë i asaj gjësë, pse të them?
Katerina Trungu: Domethënë nuk ia kishe idenë punëve të shtëpisë dhe fëmijës?
Elona Nallbani: Jo vetëm. Gjithçkaje, të them të drejtën. Mamaja ime më la shumë të re, isha 21 vjeçe kur vdiq dhe të them të drejtën nuk më kishte mësuar që të isha e përgatitur që të mund t’ia dilja jetës sime vetë, që të merresha si një nuse e mirë, që të kujdesej për familjen, për shtëpinë, për fëmijën, zonjën e shtëpisë. Shkurt muhabeti, unë e kam kuptuar zonjën e vërtetë të shtëpisë goxha vite vonë, këto rreth 10 viteve të fundit dhe vazhdoj të them, në këndvështrimin tim dhe në mëyrën sesi unë e shikoj dhe pa dashur të më paragjykojë askush se sigurisht, nuk jam fare pro që të bashkëjetohet me vjehrrin dhe vjehrrën. Mendoj që çiftit i duhet lënë hapësira të marrin vendimet e tyre, qofshin këto të mira, qofshin këto të gabuara.