E mësova djalin tim se si të ishte burrë, por në fakt duhej ta kisha mësuar se si të bëhej një baba!
Kur dikush sjell një bebe në zyrën tonë, gratë, të rinj dhe të moshuar, lënë çdo gjë që kanë në duar dhe e rrethojnë atë. Duan ta mbajnë, ta përkëdhelin dhe përqafojnë. Unë fshihem poshtë kompjuterit tim ose nxitoj në një takim, duke i treguar të tjerëve orën, në mënyrë që të kuptojnë se duhet të punojnë dhe jo të qëndrojnë me foshnjën. Shoh që shumë kolegë të mi meshkuj bëjnë të njëjtën gjë.
Nuk është se burrat nuk janë të interesuar për foshnjat. Ne jemi. Bebet thjesht duhet të jenë tonat.
Disa muaj para se djali im, Zack dhe bashkëshortja e tij, Allie, të sillnin në jetë fëmijën e tyre të parë, unë pashë se si dikush i dha një fëmijë në dorë Zack. Nuk ishte një fëmijë i huaj, ishte mbesa e tij 6 muajshe. Zack e mbajti të distancuar nga vetja e tij sikur të ishte një kafshë.
Kjo gjë ndodhi vetëm dy muaj para se të bëhej baba. Ju do të mendoni se ai do t’i provonte vetes se si është të jesh një baba! Ndoshta do t’i ofrojë bebes një shishe për ta ushqyer, por jo nuk ndodhi kështu. E megjithatë, dy muaj më vonë, pashë Zackin që mbante në dorë djalin e tij të porsalindur, West. Ai ishte kaq i ndjeshëm me të, e afronte në fytyrë, duke ia puthur ballin. Mezi priste ta ushqente, nuk lejonte bashkëshorten e tij që t’i ndërronte pelenat djalit.
Kështu kam qënë dhe unë, nga djali im.
Të qënurit baba ka qenë përvoja më transformuese e jetës sime. Para se të isha një baba, përkufizimi im për dashurinë ishte një gjë shumë e vogël. Atësia më ndryshoi, sikur gjithë jeta ime e mëparshme mu hoq nga trupi dhe papritur e gjeta veten lakuriq.
Unë kurrë nuk kam ëndërruar të jem baba kur isha djalë i ri. Nga të gjitha gjërat që dëshiroja të bëja kur të rritesha, “babai” nuk ishte fare në listë. E dija që shumë vajza që donin të ishin nëna dhe ishin të interesuara e kujdeseshin shumë për vëllezërit e motrat. Unë nuk kisha asnjë interes për vëllain tim më të vogël deri kur ai u bë i vjetër dhe kërkonte ndihmë.
Si baba, mendova se ishte detyra ime të mësoja djalin tim të ishte një burrë dhe jo domosdoshmërisht një baba. Burrëria është e orientuar drejt qëllimit. Atësia është rreth proçesit e të qënit atje për fëmijën tënd!
Unë nuk mendoj se kam rritur Zack për të qenë një baba. Nëse do më duhet ta bëja sërish, do të kisha kaluar më shumë kohë duke e mësuar të ishte më i ndjeshëm. Unë nuk e mbaj mend kurrë t’i kem thënë fjalët: “Kur je baba …”. Do të doja ta kisha ndihmuar më shumë për këtë rol.
Por ja ku është ai sot, në dashuri të plotë me djalin e tij, i vëmendshëm ndaj thirrjeve të tij, duke marrë kohë nga çdo gjë, në mënyrë që të jenë vetëm ai dhe West (nipi im).
Ndoshta vetëm një fëmijë mund t’jua mësojë këtë!
Shkruar nga Jim Sollisch, baba i 5 fëmijëve dhe gjysh i dy nipërve.
Kjo histori është botuar në : “The New York Times”, “The Washington Post”, dhe në “ The Wall Street Journal”.