E rëndë, drejtori i shkollës rreh me grushta nxënësin | Video
Rastet e dhunës së ushtruar ndaj nxënësve apo edhe profesorëve nëpër shkolla nuk janë të rralla.
Një rast i tillë është regjistruar javën e kaluar në shkollën e mesme “Kenan Halimi” në fshatin Skifteraj të Vitisë në Kosovë.
Sipas videos së siguruar nga Indeksonline, shihet drejtori i shkollës M.M., duke rrahur pa mëshirë një nxënës.
Familjari i nxënësit të rrahur ka thënë se drejtori ka rrahur dy nxënës, por në video shihet vetëm njëri.
“Nxënësit kanë shku me një fshat afër për të luajtuar futboll dhe i kanë lënë çantat brenda në shkollë. Kur janë kthy pasdite nxënësit, ndërrimi i pasdites ka qenë duke mbajtur mësim. Dy nxënës kanë dashur t’i marrin çantat, por drejtori nuk i ka lënë të hyjnë brenda, janë sharë dhe ai ka filluar t’i rrah.
Në video është nxënësi i klasës së 9-të R.I., duke u goditur nga drejtori i shkollës”, ka thënë ky familjar, duke shtuar se për këtë i ka shkruar drejtorit edhe në Facebook, por që nuk ka marr përgjigje nga ai.
Për rastin në fjalë është kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës M.M., i cili ka mohuar të ketë bërë një gjest të tillë. “Nuk është e vërtet ajo që thoni. Jeni keqinformuar”, ka thënë ai, duke mos dashur të flas më shumë.