E rëndë në Greqi, babait i bie foshnja nga dora dhe vdes, ai gënjen gruan dhe policinë
Një tragjedi ka ndodhur në Selanik ku një foshnjë 47-ditore, ka humbur jetën pasi i ra nga dora të atit.
Siç rezultoi nga hetimet paraprake të kryera nga sigurimi i Selanikut, foshnja u transportua me ambulancë pas një telefonate nga babai i tij 24-vjeçar bullgar.
24-vjeçari, i marrë në pyetje nga policia, tha se ndodhej në shtëpi me gruan e tij greke dhe foshnjën dhe djali i vogël filloi të ndjente siklet dhe pati gulçim. Më pas, siç ka pohuar ai, ka telefonuar ambulancën dhe foshnja është dërguar menjëherë në spital.
Gjatë ekzaminimit klinik të foshnjës u konstatua ënjtje me ekimozë në qepallën e sipërme të majtë, ekimozë në mollëzën e majtë dhe ënjtje djathtas.
Autopsia zbuloi se foshnja kishte lëndime në tru. Policia thirri babain për një deklaratë, i cili ndryshoi dëshminë duke treguar se në dhomën e gjumit dhe teksa mbante në krahë foshnjën 47-ditëshe, i rrëshqiti nga duart dhe ra në buzë të krevatit, duke goditur kokën fillimisht në hekurin e shtratit dhe më pas në dysheme.
Siç tha ai, pasi e mori foshnjën nga dyshemeja, zbuloi se ajo filloi të shfaqte gulçim. Ai ka telefonuar menjëherë ambulancën dhe më pas ka tentuar t’i japë vetë ndihmën e parë, duke i fshehur se çfarë kishte ndodhur saktësisht gruas dhe policisë.