E rëndë në Kuçovë/ Era e fortë rrëzon nga çatia 26-vjeçarin, e mitura plagoset nga depozita e ujit
Vendi ynë ditën e sotme është përfshirë nga një stuhi ere që ka shkaktuar probleme të shumta.
Rrëzimi nga një lartësi rreth 3 metër i ka shkaktuar të riut nga fshati Tapi në rrethin e Kuçovës fraktura dhe shembje në të gjithë trupin. Majkëll Vrapi është gjetur pa ndjenja në tokë dhe është transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat. Ai aktualisht ndodhet në sallën e operacionit në Repartin e Kirurgjisë, ndërkohë që mjekët deklarojnë se gjendja e tij është e rëndë.
Nga ana tjetër, si pasojë e stuhisë së fortë, një depozitë uji është shkëputur nga çatia dhe ka rënë sipër një vajze 17-vjeçe, që ishte duke kaluar në rrugë. Vajza me inicialet S.K., është ngritur nga kalimtarët e rastit dhe është dërguar në spital. Edhe 17-vjeçarja ndodhet në Spitalin Rajonal të Beratit, ku po ekzaminohet nga mjekët. Ajo është jashtë rrezikut për jetën, edhe pse me fraktura dhe plagë të shumta.