E rëndë në SHBA/ Policia arreston 9-vjeçarin, qëlloi për vdekje familjarin
Një djalë nëntë vjeçar i dyshuar për vrasjen e një anëtari të familjes me armë është arrestuar në Utah, në perëndim të Shteteve të Bashkuara, njoftoi policia të martën.
Tragjedia ndodhi të premten mbrëma në qytetin Tooele, tha një oficer policie për AFP, pa specifikuar nëse autoritetet besojnë se ishte një aksident apo i qëllimshëm.
Forcat e rendit gjetën një 32-vjeçar pa ndjenja në momentin kur mbërritën në shtëpi. Viktima kishte plagë me armë zjarri në kokë
Sipas të dhënave të para të hetimit, fëmija i arrestuar në orët e vona të mbrëmjes dhe viktima i përkasin të njëjtës familje.
SHBA-të po paguajnë një çmim jashtëzakonisht të rëndë për përhapjen e gjerë të armëve në territorin e saj dhe lehtësinë me të cilën amerikanët mund të kenë akses në to.
Vendi ka më shumë armë (rreth 400 milionë) sesa banorë, një në tre të rritur amerikanë zotëron të paktën një armë dhe gati një në dy jeton në një familje me më shumë se një armë.
Krahas kësaj situate është edhe shkalla jashtëzakonisht e lartë e vdekjeve nga incidentet e dhunshme me përdorimin e armëve në vend, e cila nuk është e krahasueshme me ato të vendeve të tjera të zhvilluara ekonomikisht.
Rreth 49,000 njerëz u vranë nga armët në 2021, krahasuar me 45,000 në 2020, i cili ishte tashmë një vit rekord tragjik.
Me fjalë të tjera, çdo ditë regjistroheshin mbi 130 viktima. Më shumë se gjysma ishin vetëvrasje.
Kongresi amerikan nuk ka qenë në gjendje të miratojë asnjë legjislacion ambicioz për armët për dekada, pasi shumë nga anëtarët e tij janë nën ndikimin e lobit të fuqishëm të armëve NRA, më i madhi në llojin e tij.