E ‘spiunoi’ vajza e vogël te Ilary, Totti e maskoi tradhtinë martesore përmes… fëmijëve

Një e vërtetë e re marramendëse përmbys aferën Totti-Blasi. E përjavshmja “Chi” rindërton ngjarjet e një historie që kishte qenë ndryshe nga sa e kemi menduar deri tani dhe “vendos në pjatë” atë që do të ishte e vërteta e Ilary.

Në këtë version të ri, viktimë dhe xhelat, nëse mund të flasim realisht në këto terma të protagonistëve, rolet përmbysen edhe një herë. Francesco Totti, i paaftë për t’i rezistuar tundimit, i çorientuar dhe i pakënaqur, jo vetëm ka përfituar nga mungesa e Ilary për të nisur historinë e tij të re, por ka përfshirë të gjithë familjen për të hedhur poshtë çdo dyshim.

Ata që nuk e vënë në dyshim mirëbesimin e Ilary Blasi, ashtu siç nuk e vënë në dyshim praninë e saj të vazhdueshme në krah të bashkëshortit të saj në momentet më të vështira që kanë shënjuar vitet e fundit, duhet të kujtojnë lamtumirën e ish-kapitenit të Romës nga futbolli.

Ky moment e bëri “Pupone” të zhytej në një ndjenjë çorientimi, deri në netët e gjata pa gjumë, pas humbjes së babait, Enzo, i cili vdiq nga Covid-19 në tetor 2020. Pikërisht në këto momente, Francesco Totti do ta kishte gjetur veten pa “busull”, ndoshta duke kërkuar një shpërqendrim, diçka që mund ta kthente në jetë.

Ilary nuk dyshonte për asgjë, derisa Totti ia hoqi menaxhimin e rrjeteve sociale motrës së gruas së tij. “Në seksionin ‘direct’ të Instagramit të Tottit, në fakt mbërrijnë mesazhet klasike të admiruesve, por disa prej tyre tradhtuan njëfarë familjariteti. Dhe kjo do ta kishte shtyrë Tottin të rifitonte vetë posedimin e rrjeteve sociale, për të shmangur pyetjet dhe dyshimet.

Si lindi flirti mes Tottit dhe Noemi Bocchi? Ndodhi në gusht 2021, kur Totti u takua me “flakën e re” në një turne Padel-i. Ata filluan të takoheshin në shtator. Noemi ua rrëfen miqve të saj, por një sekret i tillë nuk mund të mbahej gjatë i fshehtë”.

Sipas të përjavshmes “Chi”, i rrëmbyer nga euforia e “flakës” së re, Totti do ta kishte dërguar Noem-in në vendet, ku shkonte gjithmonë Ilary. Ndërkohë, marrëdhëniet familjare do të ishin të ftohta dhe të largëta, të kufizuara në komunikimet e shërbimit, ndërsa Ilary ishte e zënë mes Romës dhe Milanos me angazhimet profesionale si prezantuese programesh të njohura televizive.

Totti do ta shfrytëzonte rastin për ta vazhduar flirtin e tij. Në shkurt 2022, gruaja e tij i kërkon llogari për fotot që publikuan mediat, në të cilat Noem shfaqet pas tij në stadium, pa asnjë merak. Përgjigja e Tottit ishte kjo: “A mendoni se, sikur të kisha një të dashur, do të isha aq budalla sa ta merrja në stadium me vete, para të gjithëve?!”

Ilary e beson aq fort, sa del në televizion dhe mban anën e tij, duke deklaruar se gazetat kanë lënë përshtypje të keqe. Prandaj, sipas këtij versioni të ri, Ilary zbulon së shpejti se çfarë kishte ndodhur, duke shkuar në një pikë pa kthim.

Çështja acarohet së tepërmi pikërisht kur Izabela, vajza e tyre më e vogël, një ditë vjen në shtëpi dhe i thotë nënës së saj se ka dy shoqe të reja me të cilat luan pasdite: “Ato janë fëmijët e Noemi Bocchi”. Ilary tronditet dhe vendos që burrin e saj ta ndjekë me një hetues privat për prova. Ai zbulon pasdite të kaluara së bashku me të dashurën e re dhe të vegjlit e saj.

Kush mund të dyshojë, nëse ka fëmijë të përfshirë në këtë histori? Teza e “Chi” është rrëqethëse dhe hapet me hipotezën e mëkateve të supozuara të ish-kapitenit të Romës, deri më tani të heshtura. Kur e përjavshmja publikoi foto të Tottit duke hyrë në ndërtesën e Noemi, nuk ishte asgjë e re. Ishte vetëm konfirmimi i një martese që përfundoi në mënyrën më të keqe.

Share With:
Translate »
171 Views