E sulmuan se donte të ndante babain nga vajzat, Arbana rrëfen të pathënat e historisë që përfshiu gjithë shqiptarët
Pas një mungese të gjatë në televizion, Arbana Osmani është rikthyer për të tretin vit radhazi në ekranin e ‘’Top Channel” me programin ‘’Dua të të bëj të lumtur’’, i cili njëlloj si në edicionet paraardhëse ka shkaktuar emocione të forta tek publiku. Në një intervistë për revistën ‘’Who’’ moderatorja e njohur ka pohuar se ky është një ndër programet më të vështira që ka realizuar, pasi ka të bëjë çdo ditë me ngjarje konkrete, me njerëz të zakonshëm historia e të cilëve fillon të bëhet nga pak e saj. Plus tani që ajo është nënë, i shikon më ndryshe marrëdhëniet njerëzore dhe është dyfish më e ndjeshme se më parë.
Megjithatë jo çdo gjë që shfaqet në ekran përkon me atë që është në të vërtetë. Arbana ka pohuar se është bërë objekt sulmi virtual për shkak të ngjarjeve që trajton, sidomos pas puntatës së vejtshme ku pastori Alfred Zike dhe gruaja e tij provuan të kërkonin kujdestarinë alternative, të dy vajzave që ndodheshin në jetimoren e Sarandës.
”Duke patur tendencën që personazhe të caktuar të mos i dëmtojmë e cënojmë në të shkuarën e tyre, kemi zgjedhur të mos tregojmë detaje “të errëta” e “të pakëndshme” në mënyrë që historia të ketë një përfundim të lumtur, sepse ai është qëllimi në fund të fundit. Vjet ne patëm një histori ku dy vajza të mitura na kërkonin t’i largonim nga jetimorja. Ajo histori kishte plot të pathëna për babain e tyre, të cilat me dashje ne nuk donim t’i bënim publike për të mirën e vajzave. Fatkeqësisht ato vajza janë akoma në jetimore, historia u harrua dhe e vetmja gjë që mbeti janë ca komente të ekstremistëve myslimanë në profilin e programit, njerëz tërësisht të keqkuptuar që e kthyen qëllimin e programit në një ”luftë” mes besimeve. Në atë moment bashkë me stafin vendosëm se nuk do të “mbrojmë” asnjë nga personazhet, se do të servirim çdo histori ashtu siç është, dhe se do kemi kujdes që të mos përdoremi nga njerëz të caktuar.”-tregon ajo