E trishtë në Londër/ Përplaset nga makina, humb jetën tragjikisht 8-vjeçari djalë i vetëm i çiftit shqiptar
Londër- Një fëmijë 8 vjeç me origjinë nga Shqipëria, ka mbetur i vdekur pas një aksidentit ndodhur në zonën e Green Lanes në Enfield, në veri të Londrës. Mediat angleze bëjnë me dije se i vogli ishte duke kaluar rrugën në momentin që një makinë e përplasi dhe i shkaktoi dëmtime të rënda.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur të premten e kaluar rreth orës 18:40, teksa vetëm së fundmi është mësuar se viktima është me prindër shqiptarë, me origjinë nga Elbasani.
Megjithatë, as ndërhyrjet e specializuara të mjekëve nuk arritën ta mbajnë në jetë. Pas kësaj, mediat angleze tregojnë përmes dëshmitarëve rrethanat e ngjarjes dhe pikëllimin e babait të 8-vjeçarit. Një prej dëshmitarëve ka rrëfyer momentin e rëndë.
Menaxheri i një lokali pranë vendit të ngjarjes është shprehur se në momentin e aksidentit, babait të të voglit i ra të fikët dhe mjekët po përpiqeshin ta zgjonin, teksa ai dergjej në rrugë.
Ai shtoi se arriti të mësonte se 8-vjeçari ishte fëmija i vetëm i familjes nga Elbasani, teksa të gjithë dëshmitarët okularë ishin të traumatizuar dhe me lot në sy në momentin pas ngjarjes.
Policia e Londrës ka nisur tashmë një hetim dhe ka lëshuar një apel për të siguruar pamjet e kamerave për të shquar aksidentin tragjik dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e shoferit. Ky i fundit mësohet se është ndalur në vendngjarje, por policia deri më tani nuk ka vendosur ta arrestojë.