E vogël këndonte në banjo, Eli Malaj: Gjyshi kujtonte se kisha rënë në dashuri
Këngëtarja e njohur shkodrane Eli Malaj ishte e ftuar në emisionin “Jeto me Orën” ku foli për fillimin e karrierës së saj 17-vjeçare dhe planet për të ardhmen e afërt.
Lajm i mirë për admiruesit e muzikës së saj, së shpejti ajo vjen me projekte të reja.
Eli tregoi se po punon për disa këngë dhe bëhet fjalë për të njëjtën rrymë muzikore që jemi mësuar gjithmonë ta dëgjojmë, por nga ana tjetër do të na suprizojë edhe me një baladë.
Këngëtarja gjithashtu foli për fëmijërinë dhe qasjen që pati me muzikën.
“Asnjë në familje nuk e besonte se do bëhesha këngëtare. Që 13 vjeçe këndoja vetëm para pasqyrës. Se dija që do më lejonin të bëhesha këngëtare se kanë qenë fanatikë”, tha ajo.
Por Eli theksoi se më vonë familja u kthye në suportin e saj më të madh.
Të qenit artiste ka vështirësitë e veta, nuk mund të ishte ndryshe dhe për Elin e cila na rrëfeu se ka qenë e detyruar nga rrethanat të punojë deri në muajin e nëntë të shtatzanisë.
Ajo është nënë e dy vajzave, 11 dhe 15 vjeçe, që mesa duket kanë trashëguar suksesin e nënës së tyre.
“Së shpejti do të jem në skenë me dy vajzat e mia. Ato kanë talent, patjetër që I mbështes në rrugën muzikore”, tha Eli Malaj.