Edhe fëmijët e adoptuar janë të lumtur
Është menduar gjithnjë se fëmijët e adoptuar janë shpesh të zemëruar, të trishtuar dhe jo të lumtur, ndërsa tani studimet tregojnë të kundërtën.
Shumë nga historitë e deritanishme që kemi dëgjuar, lexuar apo që janë bërë të ditura nga media, na paraqesin të dhëna se fëmijët e adoptuar janë të zemëruar, jo të lumtur dhe kanë gjasa të ndërmarrin veprime kriminale.
E vërteta ka mundësi të jetë ndryshe, pasi një familje, qoftë kjo edhe adoptuese, të jep mundësi më të mëdha shkollimi, zhvillimi emocional dhe shpirtëror. Këta fëmijë të adoptuar rriten për t’u bërë njerëz të zakonshëm dhe integrohen mirë me pjesën tjetër të shoqërisë.
Në vitin 1994, Instituti i Kërkimeve të Minepolisit nxori rezultatet e “Të rriturit e adoptuar”, një studim katërvjeçar. Kërkuesit analizuan 881 adoleshentë, 1.262 prindër adoptues dhe 78 vëllezër dhe motra të paadoptuar. U zbulua se adoleshentët e adoptuar kishin lidhje të forta me familjen e re dhe se ishin psikologjikisht të shëndetshëm.
Në fakt, adoleshentët e adoptuar kishin marrëdhënie më të mira në lidhje me mirëkuptimin në familje, i ndihmonin më shumë të tjerët dhe miqësitë e tyre ishin më të shëndetshme sesa të personave që ishin të paadoptuar. Adoleshentët e adoptuar kishin gjithashtu arritje më të larta në studime, ishin më optimistë për jetën dhe ndiheshin më shumë të mbështetur nga familja dhe shkolla.
Në vitin 2007, një raport i Departamentit Amerikan të Shëndetit u dha fund shumë prej dyshimeve, që binin mbi adoptimin e fëmijëve. Raporti i titulluar “Adoption USA”, studioi 2000 familje që kishin adoptuar fëmijë në mënyra të ndryshme. U zbulua se 85 për qind e fëmijëve ishin në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe shpirtërore. Këta fëmijë gjithashtu ishin më pak të prirë të jetonin në varfëri. Ata kishin edhe përparësi të tjera në lidhje me fëmijët biologjikë, pasi këtyre u lexoheshin më shumë përralla në fëmijëri, u tregoheshin më shumë histori dhe merrnin më shumë pjesë në aktivitetet jashtëshkollore. Mbi gjysma e fëmijëve të adoptuar kishte aftësi shumë të mira në lexim, në gjuhë të huaja dhe në matematikë.
Duken se politikat e reja të adoptimit po u pëlqejnë shumë familjeve adoptuese, pasi janë më të hapura dhe u lejon fëmijëve që të takojnë lirisht familjet e tyre biologjike. Mënyrat sesi ruhen këto kontakte janë nga më të ndryshmet, që nga vizitat e telefonatat deri te shkëmbimi i letrave apo e-maileve. Për më tepër, rreth 97 për qind të fëmijëve në moshën 5-vjeçare, e dinin se ishin të adoptuar.
Një studim i vitit 2012, i titulluar “Openness in Adoption” raportoi se vetëm 5 për qind e adoptimeve të sotme janë të mbyllura, pra pa kontakte me familjen biologjike. Kërkimi tregon edhe për përfitimet që kanë fëmijët që ruajnë marrëdhëniet me familjen e origjinës. Në këtë mënyrë ata mund të marrin më shumë informacione rreth familjes së tyre, të dhënave mjekësore ndër vite dhe pemës gjenealogjike.
Të rinjtë që janë pjesë e adoptimeve të hapura kanë një kuptim tjetër për psikologjinë e adoptimit dhe për prindërit e tyre. Adoleshentët e adoptuar shprehen se ruajtja e marrëdhënieve me familjen biologjike i ka ndihmuar ata shumë në pranimin e vetes dhe kuptimin e fizionomisë së tyre. Ata e kanë shumë më të thjeshtë t’i shpjegojnë gjërat që u ndodhin, kur e dinë se i kanë trashëguar nga dikush tjetër që është i ngjashëm me ta. Të adoptuarit kanë gjithashtu ndjenja pozitive kundrejt nënave të tyre dhe shprehen se e kanë më të lehtë t’i falin, kur janë në dijeni të gjendjes që kanë kaluar.
Psikologët e lidhin lumturinë e fëmijëve të birësuar me zhvillimin e shëndetshëm të identitetit të tyre. Këta fëmijë ndihen më të sigurt në lidhje me marrëdhëniet që kanë me familjet adoptuese, por nga ana tjetër edhe ruajtja e kontakteve me familjen e origjinës, i lejon ata të ndiejnë lumturi, shëndet dhe të përqendrohen në gjërat që dëshirojnë të arrijnë nga jeta.
Adoptimi është një traditë e krijuar që nga antikiteti. Për shembull në Kodin e Hamurabit, jepeshin me detaje të drejtat e atyre që dëshironin të adoptonin dhe përgjegjësitë që kishin mbi individët që birësonin. Gjurmë të adoptimit gjenden edhe në Romën e lashtë në Kodin e Justinianit. Ndryshe nga sot, adoptimi atëherë bëhej jo vetëm nga personat që nuk mund të kishin fëmijë, por edhe nga ata që dëshironin t’ia trashëgonin pasurinë e tyre një personi të caktuar. Për këtë arsye, meshkujt ishin më të preferuar për t’u birësuar.
Ja disa persona të famshëm që janë të adoptuar:
Stiv Xhobs
Eleonor Rusvelt
Edgar Alan Poe
Çarls Dikens
Aleksandri i Madh
Xhon Lenon
Leo Tolstoi
Merlin Monro
Mark Tuein
Nelson Mandela
Nat King Cole
Halle Berri