Edukatorja ushtron dhunë tek të miturit e fshatit SOS, fëmijët filmojnë ngjarjen
Një edukatore e fshatit SOS me iniciale B.B , 44 vjeç, ka ushtruar dhunë mbi të miturit e kësaj qendre.
Ngjarja është bërë e ditur nga vetë fëmijët, të cilët kanë filmuar dhunën ndaj një 10 vjeçari.
“Në dhomën ngjitur ku shërben nëna kujdestare dëgjoheshin zhurma dhe të qara fëmijësh. Zhurmat sa vinin dhe shtoheshin, nga zëri njoha të qarat e Mustafait, dhjetë vjeç dhe zërin e nënë Blerinës që po e rrihte atë, mora telefonin dhe incizova çfarë po ndodhte”, tregojnë vajzat që kanë regjistruar ngjarjen.
Pas filmimit, ato kanë njoftuar drejtoreshën Mimoza Manaj, e cila ka urdhëruar largimin nga puna të 44 vjeçares.
Po ashtu, Manaj i është drejtuar komisariatit numër një, ku ka denoncuar rastin.
Pas ekspertimit të videos së regjistruar nga fëmijët policia ka thënë për Top Channel:
“Personi që po bën videon duket që hap një derë dhe afrohet në një ambjent tjetër. Dëgjohen të qarat e një fëmije dhe zëri i lartë duke bërtitur i një personi të rritur femër. Dëgjohen gjithashtu zhurma si ato të goditjeve me duar, që korenspodojnë me të qarat e fëmijës dhe të bërtiturat e të rriturit. E njëjta gjë konstatohet edhe në videon e dytë”.
Aktualisht shtetsja B.B është vendosur nën hetim për keqtrajtim të të miturve.