Efektet anësore të diabetit gestacional në gratë shtatzëna, çfarë duhet të dini
Sipas ekspertëve mjekësor, rreth 5 për qind e grave diagnostikohen me diabet gestacional në një moment gjatë shtatzënisë.
“Është një problem shumë i zakonshëm që mund të jetë i vështirë për t’u trajtuar,” thotë gjinekologe Tasha Beenken nga Iowa për burimin Pregnancy Newborn përcjell Gazeta Shneta.
“Mes tjerash, është e vështirë sepse gratë nuk mund të ndiejnë kur sheqeri i tyre në gjak është i lartë. Dhe duke qenë se ndihen mirë, është e vështirë të besohet se kanë një gjendje që mund të ketë efekte anësore serioze dhe të kërkojë trajtim”.
Ndërsa shumë gra me diabet gestacional vazhdojnë të lindin fëmijë të shëndetshëm, rreziqet e mos menaxhimit të niveleve të glukozës mund të jenë serioze si për nënën ashtu edhe për fëmijën.
Induksioni i hershëm dhe shkalla e prerjes cezariane janë më të larta për gratë me diabet gestacional, sepse ekspozimi ndaj niveleve të larta të glukozës mund të shkaktojë që foshnjat të jenë më të mëdha se normalja (makrosomia).
Edhe nëse janë me madhësi normale, Dr. Beenken thotë se foshnjat e lindura nga nëna diabetike priren të shtojnë peshë në bark dhe gjoks më shumë sesa ato të lindura nga nëna jo diabetike.
“Të dyja këto gjëra shkaktojnë një rrezik në rritje të dystocias së shpatullave, ku koka e fetusit lind, por trupi jo. Kjo mund të zgjasë nervat në qafën e foshnjës dhe të shkaktojë paralizë të përkohshme ose të përhershme”, thotë ajo, duke shtuar se në shumicën e rasteve këto rezultate serioze mund të shmangen nga një mjek tejet i aftë dhe stafi infermieror.
Rreziqe të tjera përfshijnë lindjen e vdekur të foshnjës, presionin e lartë të gjakut për nënën e ardhshme dhe sheqerin e ulët të gjakut (hipoglicemia) tek foshnja pas lindjes.
Kjo është arsyeja pse Dr. Beenken thotë se është thelbësore të merret kujdesi i duhur me monitorim të vazhdueshëm të sheqerit në gjak gjatë shtatzënisë për të minimizuar rreziqet.