Elia Zaharia ndërron vend, bëhet “mamaja” e Yllka Mujos

Sezoni i ri artistik në Teatrin e Metropolit do të hapet nga shfaqja “Tre dimra”, do të vendoset në skenë nga regjisorja Rozi Kostani. Kasti i aktorëve është i jashtëzakonshëm dhe mbresëlënës, një mori emrash të njohur që duket thuajse e pamundur t’i kesh në një pjesë.

Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Viktor Zhusti, Marjeta Ljarja etj do t’i japin jetë një ngjarjeje që përshkon disa breza. Surprizuese është prania e Princeshë Elia Zaharia Zogut në një rol tejet unik për të cilin ajo flet më gjerë në “Rudina” në Tv Klan. Në ndryshim nga realiteti, Elia në rol nuk do të jetë bija e Yllka Mujos, por nëna e saj, një rotacion i rrallë në teatër.

Rudina Magjistari: Po idenë, për shembull, se intrigon shumë fakti që Elia është mamaja e Yllka Mujos në këtë histori, si e ka pritur Yllka, si e keni përjetuar të dyja kur jeni me njëra tjetrën dhe flisni e diskutoni?

Elia Zaharia: Jo nuk është se kemi patur dhe shumë kohë fizikisht për të ndenjur sepse kemi qenë në prova gjatë gjithë kohës dhe jemi shumë afër premierës. Në fillim mua më pëlqeu shumë roli kur e lexova, domethënë ishte me lexim të parë dashuria me personazhin, jo për historinë, por për temperamentin sepse duket sikur ka shumë pika që më lidhnin me personazhin.

Rudina Magjistari: E gjen veten aty?                                                                                                      

Elia Zaharia: E gjej për temperamentin sepse pastaj rrethanat historike nuk kanë lidhje, po që sigurisht unë me mamin ngjaj. Ngjaj në zë, ngjaj në shprehi kështu që është e natyrshme.

Rozi Kostani: Pikërisht ky ishte edhe një nga arsyet që e zgjodha.

Elia Zaharia: Por që kam krijuar një marrëdhënie shumë të bukur me mamanë, por edhe me Luizën sepse ne të dyjave vijmë tani nga një projekt që sapo mbaroi, edhe si të thuash kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, vazhdon kjo ngrohtësi kështu që është një lloj dashurie njerëzore që përkthehet edhe në skenë në këto raporte.

Share With:
Translate »
288 Views