“Emocionet kanë qenë më të fortat për mua si njeri dhe si prind”… Lila dhe Sindikata e Futbollistëve, vizitojnë shtëpinë e fëmijëve Zyber Hallulli
Sindikata e Futbollistëve Profesionistë në Shqipëri, me në krye ish-lojtarin e kombëtares Andi Lila kanë bërë së fundmi një gjest shumë të veçantë për shtëpinë e fëmijës, Zyber Hallulli. Në prag të festave të fundvitit, Lila dhe Sindikata kanë menduar edhe për fëmijët teksa i kanë dhuruar atyre topa futbolli, çanta shkolle por edhe shumë mjete të tjera të nevojshme për shkollën. Sakaq, Lila është shprehur se kurrë më parë nuk kishte ndjerë emocione të tilla.
“Në jetën time kam patur shumë momente emocionuese. Sigurisht duke qenë futbollist këto momente kanë lidhje më së shumti me futbollin. Por emocionet që kam ndjerë me fëmijët e “Shtëpisë së fëmijëve Zyber Hallulli”, sigurisht që kanë qenë më të fortat për mua si njeri, si prind, si Andi Lila.
Sindikata e Futbollistëve Profesionistë e mbështetur nga Akademia Triumph dhe disa donatorë, të cilët dua ti falënderoj shumë, ndërmori një iniciativë të veçantë.
Më rastin e festave të fundvitit, bëra një vizitë në “Shtëpinë e fëmijëve Zyber Hallulli” ku dhuruam 38 çanta sportive të kompletuara me bazën materiale si dhe 13 topa për bazën didaktike të shkollës. Sigurisht që kjo është një ndihmë modeste por gëzimi dhe kënaqësia që shikoja në sytë e këtyre fëmijëve ishte diçka e veçantë.
Si futbollist kam dhuruar edhe më parë materiale sportive por këto fëmijë këtyre dhuratave ju gëzuan në një mënyrë tjetër, të panjohur më parë për mua. Biseda me stafin e këtij institucioni si dhe me fëmijë më bëri ta shikoj jetën nga një dimension tjetër. Kuptova se për këto fëmijë, çantave sportive nuk ju gëzoheshin thjesht si dhurata por i vlerësonin edhe si gjest që tregonte se kishte njerëz të mirë që mendonin edhe për ata dhe për këtë arsye ata nuk do të ishin të vetëm në këtë jetë. Sinqerisht që unë nuk e kisha menduar në këtë mënyrë.
Por një gjest kaq modest të vlerësohet në këtë mënyrë jo vetëm më emocionoi por edhe më bëri të mendoj se: Sa pak duhet për ta bërë edhe jetën tonë të përbashkët më të mirë. Për këtë dua t’i them: Faleminderit stafit dhe fëmijëve të “Shtëpisë së fëmijëve Zbyr Hallulli”, tha Andi Lila.