Ëndrra e persekutuar e Jolandës për të kënduar në skenë, e bija e surprizon me duet
I prenë ëndrrën për kënduar që në nisje të karrierës së saj sepse vinte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist. Kjo është historia e Jolanda Laloshi (Gjeluci) nga Shkodra e rrëfyer tek “Ka një mesazh për ty” në TV Klan nga e bija Anjeze Gjeluci. Kjo e fundit është rritur gjithë jetën me brengën e të ëmës që nuk mundi të dilte në skenë si shoqet e saj. “Mua më fillon emri me Jo-Landa dhe prandaj kudo më thonë jo, ti nuk do këndosh”. Ky ka qenë përherë refreni i Jolandës sa herë i refuzohej e drejta për të ndjekur pasionin e saj. Më 20 prill të këtij viti ajo organizoi një koncert modest në sallen e Katedrales Katolike në Shkodër por Anjeza nuk pranoi të këndojë një duet me Jolandën megjithse edhe ajo po ashtu ka trashëguar të njëjtën dëshirë dhe talent si e ëma. Aryseja ishte sepse Anjeza po mendonte për një koncert të përmasave më të mëdha që të kenaqte të ëmën ashtu siç e meriton për gjithë vuajtjet që ka hequr në jetë. E ndier në faj që edhe ajo për herë të parë në jetë i tha “jo”, kishte ardhur në program për t’i kërkuar falje, t’i premtojë që gjithmonë do i thotë “po” e të këndojë një këngë së bashku me të. Gjatë rrefimit nuk kanë munguar lotët por është lexuar dhe gëzimi në sytë e të dyjave teksa kanë kënduar në duet “Këngën e Nënës”. Por si nisi historia e Jolandës?
Anjeza tregon se e ëma rrjedh nga një familje intelektuale ku babai i kësaj të fundit kishte kryer studimet në Itali, në nivel ekselent, me bursë shqiptare para viteve 1944. Me kthimin në Shqipëri dhe me instalimin e komunizmit, shtëpia e tij u kthye si një bazë ku mblidheshin intelektualët shkodranë, ata të cilët nuk pajtoheshin me ideologjinë politike të kohës. Këtu do të përcaktohej dhe fati i familjes, përfshirë dhe i Jolandës, akoma pa lindur. Ajo ka trashëguar talentin për muzikën dhe për këngën në përgjithësi por për shkak të persekutimit nga regjimi komunist, kjo ëndërr i mbeti e pa plotësuar.
Fillimisht ajo ka nisur rrugëtimin e muzikës me mjeshtrin Tonin Daia. Ai i mahnitur nga veshi muzikor dhe vokali i saj e përzgjodhi për ta bërë pjesë të kuartetit në Festivalin Kombëtar të fëmijëve. Ajo fitoi pikët maksimale në konkursin “Provoni aftësitë e tua”. Prej aty kalon soliste me Leonard Dedën në festivalin lokal të fëmijëve ku fitoi çmimin e dytë, sepse çmimet e para ishin këngët që i kushtoheshin partisë. Për shtatë vite ka studiuar paralelisht për kanto, dy vite fizarmonikë dhe dy vite aktrim. Këto kanë qenë si tip kursesh por që në fund të jepnin një çertefikatë për njohuritë e fituara. Pasi mori pak formim si këngëtare dhe regjisore, me mikeshat e saj këngëtare i’u besua organizimi i një koncerti. Pak para daljes ne shfaqje, një polic hijerëndë vjen dhe thotë “Ku është Jolanda?”. Me arrogancë i merr çantën dhe i’a hedh në një kamion, sipër rrobave të shtëpisë. Aty pësoi traumën e parë sepse mësoi që do internohej më gjithë familjen. I’u lut policit “aman më lejo ta bëj koncertin” por ai e kapi me forcë për krahu dhe e shtyu në kamion.
Në atë kohë ajo kishte fituar konkursin në shkollën e muzikës por që nuk arriti të shkonte kurrë. Duke qenë mikesha të ngushta me artisten Myfarete Laze, ajo shkon në shtëpi dhe e kërkon Jolandën dhe shikon që shtëpia ishte e zbrazur. Pyet komshinjtë dhe ata i thonë që “Jolandën e kanë internuar”. Ishte fillimi i një karriere të bukur artistike por qe iu pre ne mes.
Ajo qëndroi në internim për shtatë vite në Mal të Jushit, në rrethinat e Shkodrës. Tre vite pasi ishte internuar, artistët e qendrës kulturore në fshatin ku qëndronte i afrohen dhe e pyesin: Ti je ajo vajza që këndon? Nëse po, ndërro mbiemrin dhe eja këndo me ne…
Vëllai i saj ishte i ndarë nga trungu familjar sepse ishte i martuar dhe jetonte në Shkodër. Kështu ajo u lut dhe me zor të madh e lejuan që të vazhdonte shkollën e mesme në qytetin e Shkodrës, pasi e kishte humbur një vit. Ajo shihej si një nxënëse mbetëse megjithse ishte shumë e mirë.
Në gjimnaz ajo u zgjodh si zëri më i mirë në konkurse mes shkollave të mesme dhe u pranua në një qendër rinore. Duke qenë se doli zë i dalluar e kaluan me disa shoqe në teatër por kur morën vesh se kishte qenë e internuar i thonë që të mos shkonte më. Për gjithë ato vite mbeti spektatore e shoqeve të saj.
Pasi mbaroi gjimnazin e përgjithshëm, u rikthye për të mbaruar dënimin në internim duke punuar në kooperativë me vëllezërit dhe me një motër të sëmurë. Ishin tetë fëmijë dhe me një gjyshe të verbër, e me babain në burg. Gjyshja mirditore, varroset vetëm me pak persona të pranishëm në ceremoninë mortore. Ka vdekur me rruzare në dorë si besimtare katolike që ishte. Anjeza e kujton kështu një episod nga përiudha e internimit të Jolandës e treguar nga vetë ajo. “Mamaja ime u rrit me një varfëri të tejskajshme ku fjalia e ditës ishte “doni të hani mëngjesin, drekën apo darkën?” sepse nuk bëhej fjalë të haje më shumë se një vakt”. Pasi mbaruan internimin, familja u rikthye në Shkodër.
Në vitin 1985, miqtë e saj artistë bënë të pamundurën që t’i jepnin një çertefikatë të një kursi 9 mujor për kanto në Tiranë ku doli si këngëtarja më e mirë nga Ansambli i Shtetit me pedagogë Syrri Rroi, Zyliha Sina, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Hysen Koçia etj. Drejtori i ansamblit i jep Jolandës një letër që pas përfundimit të kursit të shkonte tek Televizioni Shqiptar për të filmuar tre këngë me këngëtarët e mirënjohur Shyqyri Alushi dhe Bik Ndoja. Në fakt nuk e thirrën asnjëherë. Edhe aty i’u tha “Jo”. Fjala “jo” i’u bë aq e zakonshme ndër vite sa filloi të thoshte si për batutë “më fillon emri me Jo dhe prandaj më thonë gjithmonë jo mua”. Në vitin 1986 u ftua në një premierë me Estradën e Shkodrës dhe pesë minuta përpara shfaqjes i thonë “ik se nuk do këndosh”. Edhe për t’u martuar u martua në një moshë relativisht të madhe krahasuar me shoqet e saj. Bashkëshorti i saj vinte po ashtu nga një familje e persekutuar dhe nuk ngurroi të lidhte jetën me Jolandën me të cilën patën tre fëmijë. Ishte ndër të paktat herë që dikush i thoshte “po”.
I vetmi vend ku ka kënduar ka qenë në ndërmarrjen Artistike në Shkodër për 10 vite. Pasioni për muzikën vazhdonte por ajo nuk pati kurrë mundësi ta shprehte talentin e saj përveçse në gëzime familjare. Të njëjtin pasion për këngën Jolanda i’a nguliti në zemër dhe Anjezës e cila mbaroi shkollën për kanto dhe në këtë mënyrë realizonte sadopak ëndrrën e të ëmës.
Edhe në vitet pas ’90-ës Jolanda u ftua rrallë në koncerte të vogla në qytetin e Shkodrës, jaret e famshme të të cilit ajo i këndonte me aq pasion e dashuri. Përpara se të ndahej nga jeta, i shoqi në bashkëpunim me miq të tjerë i financuan një album muzikor, një ndër të vetmet surpriza që kishte lidhje me karrierën e saj. Anjeza thotë se prej 15 vitesh ajo ngushëllohet të dielave në katedralen e Shkodrës si soliste por asgjë më tepër.
Përpara një viti Anjeza formuloi një projekt me një producent muzikor në Shkodër për një koncert recital të Jolandës. Projekti kishte një vlerë të konsiderueshme financiare dhe ajo e dërgoi në disa institucione shtetërore dhe prej të gjithave mori përgjigje negative. Pavarësisht kësaj, shpirti optimist nuk e la asnjëherë të bjerë në dëshpërim.
“Fshehtas meje organizoi me miqtë e saj më të ngushtë një koncert recital më 20 prill të këtij viti në një ambient të vogël që i’a ofroi kisha dhe këtë lajm ma dha vetëm 10 ditë përpara, ndërkohë që kishte filluar me provat gjenerale. Në vend që të gëzohesha, u mërzita sepse koncerti nuk ishte ai që unë dhe ajo kishim ëndërruar dhe ishim përpjekur aq shumë. Me atë shpirtin e saj artistik, më fton që të këndoja një këngë duet me të. Duke qenë se u mërzita, nuk pranova. “S’ka gjë”, tha ajo, “jam mësuar të më thonë jo Landa”, sqaroi Anjeza. Jam ndier në faj që i thashë “jo” dhe ishte vonë për të ndërruar mendim dhe nga kjo gjë u nxita që të vij tek “Ka një mesazh për ty” që t’i kërkoj dhe ndjesë. Jam këtu që t’i them “Po Landa” e po të jetë e mundur të këndoj atë këngë që nuk e këndova kur kishte koncertin recital”.
Është pritur me duartrokitje të mëdha dueti i Anjezës me të ëmën Jolanda e cila me siguri e kishte pritur prej vitesh këtë moment e këto ovacione. Ajo ka rrëfyer edhe disa nga vuajtjet e saj të viteve të shkuara por teksa shikon të bijën dhe dëgjon mesazhin e saj shprehet se tashmë ndihet e kompletuar dhe e lumtur si nënë. “Le të shërbejë kjo si një pikënisje për projektin e madh. Le të jetë një këmbë e mbarë” u ka uruar Ardit Gjebrea të dyjave të cilat janë larguar me shijen e ëmbël të duartrokitjeve të publikut.




