Epilepsia tek fëmijët dhe trajtimi

Trajtimi i Epilepsive bëhet me barnat antiepileptike (AED). Vetëm te dy-të tretat e fëmijëve me Epilepsi mund të ketë kontroll të plotë të krizave nga mjekimi. Mbas vitit 1993 kemi një ekspansion të prodhimit të antiepileptikëve të gjeneratës së re që krahasuar me gjeneratën e vjetër të antiepileptikëve, janë më efikas dhe me më pak efekte anësore.

Meqë tek fëmijët spektri i sindromave epileptike është shumë më i gjerë krahasuar me të rriturit, trajtimi i fëmijëve kërkon trajnimet dhe eksperiencën e nevojshme. Fëmijët përveç larmisë së sindromave të ndryshme epileptike që paraqesin, bëjnë dhe shume episode që ngjajnë me epilepsinë por në fakt nuk janë epilepsi prandaj duhet te diferencohen mirë që të mos trajtohen në mënyre të gabuar.

Në moshat pediatrike mund të hasen çrregullime neurologjike që janë shkaktare të epilepsisë. Disa nga AED nuk janë te aprovuara për tu përdorur në moshat pediatrike, megjithatë ndonjëherë e kërkon nevoja të përdoren “off label”. Mënyra se si barnat antiepileptikë përthithen në organizëm ndryshon tek fëmija nga i rrituri. Efektet anësore janë të ndryshme në mosha të ndryshme.

Hapat ne trajtimin e Epilepsive

Pikësëpari identifikimi i llojit të krizës është një moment thelbësor. Regjistrimi i krizës nga prindërit është tepër i rëndësishëm për të diferencuar nëse kemi të bëjmë me një krizë epileptike apo jo dhe për të përcaktuar më tej se cili është lloji i sindromes epileptike. Tek fëmijët përjashtimi i shkaqeve metabolike është i domsdoshëm. Rëndësi i kushtohet evidentimit të sëmundjeve bashkëshoqëruese si prapambejta mendore, paraliza cerebrale, çrregullimet konjitive etj.

Në disa raste mjekimi me AED është i kotë nëse nuk është zbuluar dhe trajtuar shkaktari i epilepsisë si p.sh defiçensa e piridoksinës, defiçensa e biotinidazes apo defekti në transportin e glukozës.

A duhet filluar mjekimi apo jo?

Kjo është një pyetje para së cilës mjeku Neuropediatër gjendet shpesh në praktikën e përditshme mjekësore. Përgjithësisht trajtimi me antiepileptikë nuk është i rekomanduar me një krizë të vetme. Rreziku që kanë efektet anësore të mjekimeve mund ta kalojë rrezikun që mund të ketë një krizë konvulsive. Prandaj përpara trajtimit duhet të bëjmë balancën risk-perfitim.

Ka disa lloje krizash ku mjekimi me AED mund të mos jetë i nevojshëm si konvulsionet febrile, epilepsia rolandike etj. Përpara se të fillohet trajtimi duhet përcaktuar risku për kriza të mëtejshme. P.sh., nëse fëmija ka pasur vetëm një krizë me shkak të papërcaktuar, ekzaminim neurologjik normal dhe EEG normal, rreziku për të pasur një krizë pasardhese është i ulët. Në këtë rast është mirë të presim. Por në rast se kriza shoqërohet me ekzaminim neurologjik jonormal apo anomali në EEG, rreziku është i lartë.

Zgjedhja e mjekimit të përshtatshëm në momentin e duhur.

Zgjedhja e medikamentit të përshtatshëm për mjekimin e epilepsisë është sfida e Neuropediatrit. Përpara fillimit të mjekimit duhet të merren në konsideratë dy momente. Pikësëpari zgjedhja e mjekimit në bazë të sindromës, por dhe efektet anësore të mjekimit bazuar në karakteristikat individuale që ka secili individ që do të trajtohet. Efektet anësore kanë lidhje edhe me moshën. P.sh. studimet kanë treguar se dëmtimet hepatike që mund të vijnë nga përdorimi i Acidit Valproik apo sindroma Stevens-Johnson nga Lamotrigina më shpesh vërehen tek fëmijët.

Shpeshherë mjekët preferojnë të përdorin antiepileptik me spektër të gjerë përsa kohë nuk është përcaktuar saktësisht lloji i sindromës. Gjithmonë fillohet mjekimi me një antiepileptik dhe i dyti mund të shtohet në terapi në format rezistente. Fillimi i njëhershëm i dy medikamenteve është i papranueshëm. Mjekimi fillohet gradualisht duke arritur një dozë mbajtëse nga 2 deri 6 javë në varësi të medikamentit që përdoret. Qëllimi i terapisë do të jetë ndalimi i krizave dhe pa efekte anësore. Matja e nivelit të AED në gjak bëhet kur ne na lindin pyetje për të cilat na e jep zgjidhjen përcaktimi i nivelit të medikamentit në gjak.

Kur ndalohet mjekimi?

Nuk ka një protokoll të saktë se kur është koha e përshtatshme për ndërprerjen e mjekimit por ka gjetur përkrahje te gjerë fakti që mjekimi duhet të fillojë të ndërpritet pas një periudhe 2 vjeçare pa kriza dhe të dhëna të EEG (Ezhe) te normalizuara. Përpara se të hiqet mjekimi duhet biseduar me prindërit.

Regjistrimi i EEG përpara vendimit për heqjen e mjekimit është tepër i rëndësishëm. Por në raste të caktuara mjekimi duhet vazhduar dhe më shumë. Kjo bëhet në bazë të një vlerësimi që bën mjeku për rrezikun për rishfaqjen e sëmundjes mbas ndërprerjes së barnave. Risku për rishfaqjen e sëmundjes pas ndërprerjes se mjekimit është më i ulët tek fëmijët (20-39%) sesa tek të rriturit (40-50%).

Heqja e mjekimit mund të bëhet gradualisht sipas skemës 3 mujore apo 6 mujore. Ketë gjë e vendos mjeku duke e biseduar së bashku me prindin në varësi të karakteristikave të fëmijës që mjekohet. Në rast se krizat rikthehen mbas ndërprerjes së mjekimit, duhet rifilluar i njëjti mjekim që ishte efektiv më parë.

Shpesh prindërit janë të frikësuar kur mësojmë se fëmija i tyre është i diagnostikuar me Epilepsi. Ata e përkufizojnë epilepsinë si një sëmundje që le pasoja mendore. Por jo gjithmonë epilepsia shoqërohet me prapambetje. Ne kemi shumë paciente që mbas disa vitesh që i është hequr mjekimi bëjnë jetë normale, pa kriza dhe sigurisht kanë rezultate të shkëlqyera në mësime.

Sa për kuriozitet mund të përmendim disa emra njerëzish të famshëm të cilët kanë vuajtur nga Epilepsia si Vincent van Gogh, Isac Newton, Napoleon Bonaparti, Charles Dickens, Alfred Nobel, Leonardo Da Vinci, Nicolo Paganini, Peter Tchaikovsky e shumë të tjerë.

Share With:
Translate »
3978 Views