Erisa Xhixho flet për shtatzëninë e dytë: Presim një luftë brenda familjes
E kemi parë nën petkun e politikës, por Erisa Xhixho na surprizoi kur u shfaq si një nga personazhet pjesëmarrës në “Ces’t La Vie”. Si për të mos mjaftuar kjo, jo më larg se të dielën që lamë pas, Erisa dha një lajm akoma dhe më të gëzueshëm: në pak muaj do të sjellë në jetë një vogëlushe, motrën e vogël të Henrit! Si e priti Xhixho ftesën nga produksioni? Si arrin ta menaxhojë kohën mes angazhimeve në profesion, muzikës dhe familjes (që për të është padyshim ‘e shenjtë’)? Sa pranë e sheh politikën me muzikën, a gjen ndonjë përputhje mes tyre? Këto dhe shumë të tjera Erisa i rrëfen në këtë intervistë ekskluzive për bordo.al!
Si e pritët lajmin për shtatzëninë e dytë?
Si unë, si Enea padyshim që do t’i jepnim një vëlla ose një motër Henrit. Që në fillim kemi dashur minimalisht dy fëmijë, pavarësisht se Enea do akoma më shumë (qesh), do familje të madhe. Gjithmonë duhet një vëlla ose një motër, në çdo moment. Lajmin e pritëm gëzueshëm, sidomos kur mësuam për gjininë! Kur ke një djalë, do të kesh edhe një vajzë në shtëpi, edhe pse unë nuk di ta ndaj. Edhe nëse do të ishte djalë, për mua nuk do të përbënte problem, pasi ata janë bekim i Zotit. Jemi shumë të lumtur, po e përjetojmë shumë qetë.
Kur e mësove se ishe në pritje të ëmbël?
E mora vesh në fillimet e “Ces’t La Vie”. U lumturova, sepse është një program me këngë, me shumë energji pozitive, dhe më ndikoi shumë pozitivisht këtë periudhë. Të gjithë producentët dhe stafi, më kanë mbajtur në pëllëmbë të dorës me pak fjalë (qesh). Uroj që ky fryt i dashurisë të shkojë mirë deri në fund, dhe t’i dhurojmë një Erisa Junior, Henrit (qesh). Megjithatë, Henrin nuk e zëvendësoj me asgjë në botë, sepse është dashuria e parë. Është lumturi, sidomos tani pasi ka kaluar vitin e parë dhe ka filluar të flasë, të përkëdhelë…Thonë që djemtë janë pak të ftohtë, por ky i imi është mjalt (qesh). Mundohem t’i them Henrit që po vjen një motër, por nuk e kupton se është akoma i vogël, por që kam përshtypjen që kur të vijë ai bebi, do kemi pak luftë brenda familjes (qesh), por që do ta menaxhojmë sido që të shkojë. I themi: ‘Ti je mbreti i shtëpisë!’. Megjithatë, më mirë që ndodhi tani, sepse nuk i dua fëmijët me diferencë mes njëri-tjetrit. Dua të rriten bashkë dhe të kenë gjëra të përbashkëta.
Si po shkon angazhimi në “Ces’t La Vie”?
Gjithçka po shkon më së miri. Madje e kishim planifikuar që lajmin për shtatzëni do ta shpallnim në këtë puntatë, se nuk po na bënim më as rrobat (qesh). Kur vendosëm që ta tregonim, i thashë Erikut: ‘Këtë herë nuk do flasë fare juria, rri rehat’.
Po oferta për pjesëmarrjen në këtë format, si erdhi? Si e prite fillimisht?
Muzika ka qenë në fakt një pasion i imi. Kemi bërë një këngë me LRI-në, në 2008 dhe për kompozimin e këngës shkuam në studion e Adi Hilës. Adi, kur më dëgjoi herën e parë, më tha: “Erisa, paske vesh të paparë për muzikë”. Dhe në fakt unë pasion e kam pasur gjithmonë, në korin e shkollës isha e angazhuar, por jeta të sjell edhe para zgjedhjeve të tjera. Kështu, kur kishin filluar përgatitjet për “Ces’t La Vie”, ishte Adi Hila ai që kishte menduar për mua. Nga ana tjetër, edhe Monika më suportoi, më tha: “Shko, bëj qejf dhe kënaqu”, sepse dhe ajo vetë ka qenë pjesëmarrëse në “Ces’t La Vie” e parë para 10 vitesh. Unë e mora lehtshëm, e pranova direkt. Kur ia thashë më pas familjes dhe shoqërisë, të gjithë ishin të habitur, edhe pse unë nuk e prisja të habiteshin aq shumë (qesh). Por, unë isha shumë e vendosur dhe Enea e pa me sa qejf e kisha, pastaj e kishte marr vesh edhe për shtatzëninë dhe nuk ma prishte dot (qesh). Është një kujtim shumë i bukur, prandaj dhe vendosa ta tregoja barkun në skenë, për të pasur një kujtim edhe për vajzën. Doktori që ditën e parë më tha: “Fillo këndoji vajzës”, dhe qeshi shumë kur i thashë që do i këndoj ‘live’ në skenë.
Si po i menaxhon angazhimet profesionale me pjesëmarrjen në “Ces’t La Vie”?
Unë jam mësuar ta menaxhoj kohën. Jeta ime nuk mund të jetë e qetë. Gjithmonë e diskutojmë: “Deri dje ishe në fushatë, tani në “Ces’t La Vie”” (qesh). Por, nuk e kam problem. Në fakultet jam rikthyer pas përfundimit të detyrës si zv. Ministre. Jam shumë e kënaqur, sepse edhe kur e kisha një post të atillë vazhdoja ruaja lidhjet me fakultetin dhe punoja si pedagoge e jashtme. Padyshim që puna e kërkimit shkencor dhe kontakti me studentët, mësimdhënien në tërësi është një proçes shumë i dashur për mua, një pasion i ngahershëm. Kur përçohet një mesazh i bukur dhe pozitiv, pse mos të jepet.
Çfarë marrëdhënie ke me Erikun? Sa të ndihmon, sa bashkëpunues jeni në punën si skuadër?
Kam qenë me shumë fat me Erikun. Është njeri shumë pozitiv dhe më krijon goxha lehtësira. Për vendosjen e këngëve i diskutojmë gjithmonë bashkë. Jemi të dy në fakt tek rryma pop, muzika e gëzueshme, kemi gjetur një koordinim shumë të mirë. Madje, kur kënduam këngën romantike të Zucchero-s, Altin Goci tha direkt: “Jeni më mirë tek rryma e qejfit, e popit”, dhe ne nuk ndërruam më pastaj (qesh). Të dy duam të japim një alegri në sallë dhe tek ata që na ndjekin. Eriku është shumë profesionist dhe unë gjithmonë e ngacmoj, i them të zgjedhim një këngë që ai e di shumë mirë, që të më mbulojë edhe mua (qesh).
E njihje Erikun më parë apo nuk kishte rastisur të takoheshit?
Jo, nuk e njihja. E njihja si këngëtar, i kisha dëgjuar këngët e tij dhe shumë më kishin pëlqyer. Madje, kur ma propozuan thashë “po” direkt, sepse ishte tek rryma që mua më pëlqen. Gjatë kohës së “Ces’t La Vie” u njohëm edhe me të, edhe me Anxhelën, me gjithë këngëtarët e tjerë që janë super në të kënduarit ‘live’. Duke qenë se çdo gjë në program është ‘live’, edhe orkestra, vështirësia është edhe më e madhe. Por, kjo i jep një bukuri të jashtëzakonshme spektaklit, që kështu më kanë futur dhe mua në një botë të tyren. Me pak fjalë, mund të jemi duke pirë kafe si zakonisht, dhe dëgjon Ylli Limanin që fillon këndon, pastaj ia merr Anxhela (qesh). Një botë krejt ndryshe nga ajo që isha mësuar deri më tani, e politikës, mësimdhënies, fushatave etj. Më kanë bërë të kuptoj më mirë artin dhe vështirësitë që ata kanë, edhe pse ne mendojmë se tre minuta këngë është pak për t’u kënduar. Por, për ato tre minuta, puna parapërgatitore është shumë e madhe.
Po marrëdhënia me pjesën tjetër të konkurrentëve, si po shkon?
Dhe me personazhet jam shumë komfort, sepse kjo më tepër se sa një garë, është një eksperiencë për qejf. Nuk ka selektime çdo javë, është më shumë për t’u kënaqur ne dhe publiku. Kështu që, nuk ka ndonjë konkurrencë ekstreme. Nuk mund të rrijmë dot pa i parë disa që janë shumë më mirë se ne, por që e kemi pranuar, e kemi pranuar që ka ca zëra më të mirë (qesh). Por, disa prej tyre i njihja dhe më përpara. Ervinin e njoh sëbashku me Olën, bashkëshorten. Era Rusi ka kënduar në dasmën time, Orin e njihja gjithashtu. Jam shumë e lumtur që Eva Alika ishte pjesë e kastit, sepse e konsideroj një personalitet në art dhe ishte shumë fat që e njoha. Padyshim që fat ishte që të njihja dhe Aleksandër Lalon…Një njeri i jashtëzakonshëm, i drejtpërdrejtë, i çiltër, plot humor, që na dha shumë alegri. Disa gjëra janë të shkruara, por ne e kujtojmë çdo puntatë: “Profesori do thoshte këashtu, maestro do thoshte ashtu”. I jemi shumë mirënjohës gjithë veprës që ai ka lënë për vendin tonë.
Ishte një largim i papritur ai i Lalos dhe me siguri ka qenë shokuese për të gjithë ju. Edhe homazhi i mbajtur një të diel më pas ishte vërtetë emocionues…
Në fakt, ne si personazhe dhe artistët vendosëm t’ia kushtonim një natë veprave të maestro Lalos, qoftë dhe për të rinjtë që nuk i dinë këngët e tij, ose që i njohin kompozimet, por nuk ia kanë idenë se janë krijime të maestros. Produksioni e miratoi menjëherë kërkesën tonë, e ky ishte vetëm minimumi që mund të bënim për të.
Po pjesën tjetër të jurisë, sa ndryshe i sheh nga njëri-tjetri?
Janë goxha të ndryshëm, por shumë profesionistë. Më shumë na japin këshilla se si ne të përmirësohemi. Madje, unë i marr me shumë pozitivitet dhe sportivitet të gjitha sugjerimet. Për shembull, një nga këshillat që na dha Altini ishte që të bënim dy zëra kur këndonim; e praktikuam tek “Nën një portokalle” dhe na funksionoi shumë bukur. Edhe Xheni dhe Rovena mundohen gjithmonë të na këshillojnë, por duhet theksuar që nuk e kanë të lehtë, sepse të jesh në rolin e jurisë nuk është e lehtë. Për më tepër, ne nuk jemi profesionistë, por dashamirës të artit dhe ata e kuptojnë këtë fare mirë.
Po nëse do të ofronin pjesëmarrje në një nga formatet ku gara bazohet mbi kërcimin, do ta pranoje?
Kërcimi…pak vështirë. Tani që jam dhe shtatzënë, për dy vjet është fare e pamundur (qesh). Por, nuk ma do mendja se do e menaxhoja.
Nëse do ta mendoje edhe muzikën si profesion, mendon se ka ndonjë përputhje mes këtij arti dhe politikës? Apo i sheh si dy pole të kundërta?
Muzika përçon energji pozitive, mesazhin e shpresës, të fal alegri, e ke të nevojshme në çdo event të gëzueshëm…Kjo do ishte mirë të ndodhte edhe me politikën. Unë personalisht për atë lloj politike jam, për një politikë që është aty për t’u kujdesur për njerëzit, për të dhuruar shpresë, për të bërë të mundur atë që duket e pamundur. Në situatën që po jetojmë, njerëzit janë shumë të zhgënjyer nga politika. Kështu që atë shpresë dhe besim që muzika përcjell tek të tjerët, pikërisht kjo, duhet të ndodhë edhe me politikën. Kjo është pika ku duhet të bashkohen, në mënyrë që dhe politika të fitojë besimin e njerëzve.
Cilin nga kolegët politikanë sheh më të përshtatshëm për skenën e një spektakli dhe cilin më pak?
Monika Kyemadhin e shoh në skenë, duke marrë shkas nga energjia që përçon, që nuk i shteron asnjëherë, aq sa na komplekson dhe ne të rinjve. Politikanë që nuk shoh janë pjesa dërrmuese, që nuk i shoh fare (qesh). Kanë krijuar një staturë shumë të ngurtë, gjë që nuk ndodh nëpër botë. Michelle Obama, ose Obama vetë, i cili është një model politikani totalisht ndryshe. Është figura e një politikani sa më pranë njerëzve, sepse njerëz jemi të gjithë. Politika ka kaluar dy faza: fazën e ngurtë, kur lideri ishte shumë larg popullit dhe shihej si hyjni dhe si i paprekshëm, dhe kemi ardhur në ditët tona, ku politikani është njerëzor, me të mirat dhe të këqijat e tij, por prapë është i prekshëm. Këtë lloj figure preferoj dhe unë. Dhe ndryshimi ka filluar tek të rinjtë që i futen rrugës politike, që tashmë janë shumë më fleksibël dhe më të hapur ndaj këtij lloj politikani.
Ke marrë urime apo të tjera reagime nga kolegët për pjesëmarrjen në “Ces’t La Vie”?
Këta të partisë time janë ekzaltuar (qesh). Por, edhe njerëz të kampeve të tjera politike, me të cilët kam marrëdhënie miqësore, më kanë uruar, më kanë dërguar mesazhe. Në fund të ditës jemi njerëz dhe kemi marrëdhënie njerëzore.
Duke qenë se zbulove tashmë që muzika ka qenë pasion i yti, edhe pse jeta jote mori një tjetër drejtim, a mund të na zbulosh me pak fjalë pse zgjodhe pikërisht politikën?
Unë që në fillore jam marr me senatet, me qeverinë e nxënësve, kisha një thelb lidershipi. Kam qenë presidente senati edhe në gjimnaz, dhe në momentin që u krijua LSI unë isha rreth 18 vjeç, po konkuroja për universitet, por nuk isha përfshirë në asnjë nga forumet. I shihja si mjete që përdoreshin vetëm për fushatë, dhe aty mbaronte çdo gjë. Në këndvështrimin tim, forumi rinor ishte gjithmonë ushqimi kryesor i partisë. Kur u krijua LSI, njohja Monikën, që në atë kohë ka qenë kryetare e FRESH. Kishin një bazë shumë të fuqishme tek “Petro Nini Luarasi” dhe unë ndërkohë i kisha ndihmuar me akseset dhe kontaktet që kisha, por nuk isha bërë anëtare. Monika më tha që donin të formonin LSI dhe të forconin forumin rinor. Pranova me një kusht: që forumi të funksiononte gjithë kohën, që të bëheshin trajnime dhe të formoheshin lider, që të mund të garonin të nesërmen për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Kështu filloi çdo gjë dhe po iu fute kësaj rruge, nuk del më (qesh).
Po fëmijët e tu, do dëshiroje të zgjidhnin këtë rrugë?
Prindërit e mi nuk kanë vendosur për mua. Gjithmonë ma kanë lënë mua peshën e vendimmarrjes, më kanë këshilluar, por unë kam vendosur gjithnjë në fund. Kështu që, e njejta gjë do ndodhë edhe me fëmijët e mi. Nëse do duan të merren me politikë apo me diçka tjetër do jenë ata që do vendosin. Kështu ka ndodhur në familjen time dhe kështu do ndërtoj edhe familjen e re.
Si e menaxhon kohën për t’i bërë ballë çdo angazhimi profesional ose jo, dhe në fund të ditës t’i përkushtohesh edhe bashkëshortit?
Unë e gjej kohën për çdo gjë, kështu që nuk mund të ndodhi që të mos e gjej për Enean (qesh). Ka prioritete dhe mbiprioritete. Me Enean kemi gati 11 vite bashkë, jemi njohur që studentë. Unë isha futur në politikë dhe ka qenë suport shumë i madh, edhe pse nuk është e lehtë të suportosh një vajzë që është në politikë në Shqipëri. Ka paragjykime, ka pengesa, ka mentalitete, edhe pse sot është shumë më e thjeshtë seç ka qenë në 2004, kur u përfshiva unë. Madje, sot është bërë ‘trendy’ për vajzat, dhe më vjen mirë që kemi arritur në këtë pikë. Kështu, Enea është gjithmonë aty për të më mbështetur, siç jam dhe unë aty për t’i qendruar pranë për çdo iniciativë të tij.
Po në raport me Henrin, si i kordinoni oraret? Kush kujdeset më shumë për të?
Të dy, të dy, të dy (qesh). Ne na ndihmon shumë edhe familja, por edhe një zonjë që ne e kemi si pjesë tonën tashmë, por dhe ne jemi padyshim aty. Unë nuk dua të humbas asnjë moment të Henrit. Fushata ishte një kohë ku unë duhet të sakrifikoja, por tashmë e kemi rikuperuar. Unë jam e parimit që me fëmijët duhet të rrish orë cilësore, dhe kështu shkojnë mbasditet e fundjavat tona, një herë unë, një herë Enea…Kemi krijuar një ekuilibër goxha të mirë dhe tani që do vijë dhe vajza do të riorganizohen gjërat (qesh). Familja është e shenjtë, streha ku ke një dashuri pa kushte dhe për mua dhe Enean është gjëja më e rëndësishme.
Kalon kohë Henri me gjyshërit?
Padyshim, gjyshërit janë të angazhuar pasditeve, kur ne kemi punë që nuk i shmangim dot. Unë jam me parimin se prania e gjyshërve është kontribut në rritjen dhe edukimin cilësor të fëmijës. Vetë jam rritur me gjyshërit, i kujtoj me nostalgji dhe e ndjej se kanë influencuar në personalitetin dhe karakterin tim. Kështu që, insistoj që ai të shpenzojë sa më shumë kohë me prindërit e mi dhe të Eneas.
Ndonjë këshillë në veçanti për nënat e reja?
Fëmija kërkon dashuri, jashtë materies që padyshim është e domosdoshme për aq mundësi sa ke, por dashuria është pa para. Të dhurojnë sa më shumë dashuri, sepse influencon në formimin e karakterit dhe vetëbesimit të fëmijës dhe ta vënë gjithmonë në gjumë ato! Edhe në literaturën që kam lexuar lidhur me këtë aspekt, edhe me këshillat e pediatrit, gjithmonë këshillohet të shprehësh dashurinë ndaj fëmijës sa më shumë të mundesh. Por, kjo vjen edhe natyrshëm.
Ke menduar ndonjë emër për vajzën?
Unë do filloj me listat tani, sepse emri është më i rëndësishmi. Duhet ta mendosh si do t’i përshtatet edhe kur të shkojë 30 vjeç! Emri duhet të ketë personalitet dhe të përfytyrohet kur ai të rritet. Këtë e ka thënë Ismail Kadare gjatë një bisede me një mikeshën time, dhe ajo e ndau me mua këtë detaj, e në fakt është shumë e vërtetë. Emri është i rëndësishëm në formimin e karakterit dhe personalitetit, kështu që unë do t’i futem punës që tani. Secili nga familja sjell nga një listë dhe unë me Enean fillojmë të zgjedhim një nga një (qesh). Për Henrin kemi vendosur të dy, edhe pse Enea e vulosi më shumë, por që i përshtatet. Meqënëse mbiemrin nga babi e kemi pak të gjatë: Nuredini, tani po kërkojmë një emër as shumë të gjatë, as shumë të shkurtër për vajzën, dhe që të mos transformohet apo të shkurtohet kur të udhëtojë jashtë (qesh).
Marre nga /Bordo.al/