Fajin nuk e kanë rrobat e Fjollës, por prindërit e këtyre fëmijëve!
Ka pasur mjaft reagime për veshjen dhe performancën e Fjolla Morinës në rrjetet sociale, pas një koncerti që ajo ka dhënë së fundmi në Skënderaj. Shkak për këtë është bërë prezenca e shumë fëmijëve në rreshtin e parë, të cilët më shumë sesa muzikën duket se janë të “magjepsur” pas trupit ë këngëtares e tatuazheve të saj, të cilat janë ekspozuar mjaftueshëm.
Megjithatë Fjolla nuk është e vetmja që zgjedh të performojë me veshje provokuese, apo me tekste po aq provokuese. Madje muzika e saj nuk njihet as për ndonjë notë edukuese, po përkundrazi është tërësisht komerciale dhe me tekste ku nuk i këndojnë dot as të rriturit pa u skuqur apo duke i ngrënë fjalët nëpër dhëmbë. Dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, sa kohë njerëzit e pëlqejnë artin dhe performancat e saj.
Pyetja është, se përse prindërit e këtyre fëmijëve i kanë çuar ata në një koncert të tillë, ndërsa të tjerët i janë sulur këngëtares se ajo e ka tepruar me zhveshjen e saj para syve të tyre.
Ndoshta duhet rikujtuar se përgjegjësia e saj nuk është të edukojë fëmijët e të tjerëve. Dhe aq më tepër në një koncert të orëve të mbrëmjes! Ndaj para se të “kryqëzojmë” Fjollën, le të kujtohemi se ajo nuk ishte në shesh për të folur rreth edukatës qytetare dhe sfidat e së ardhmes tek brezi i ri.
