Fëmijët e rrëmujshëm mësojnë më shpejt

Një lajm i mirë për prindërit që e gjejnë veten duke pastruar gjithë ditën tavolinën, muret, rrobat nga ushqimi i të vegjëlve të tyre.

Një studim i ri ka treguar se teksa bën të gjithë atë rrëmujë, fëmija juaj po mëson. Kërkuesit nga Universiteti i Iouas hulumtuan sesi fëmijët 16-muajsh mësonin fjalët e gjërave jo të ngurta, siç janë për shembull qumështi ose masat e gjellës, që zakonisht marrin më shumë kohë për t’u mësuar. Rezultatet treguan se ata që luanin me substancën i mësonin fjalët që i përcaktonin ato më shpejt.

Truri i fëmijës normalisht mëson më shpejt fjalë që i përkasin objekteve të prekshme si blloku, molla apo babai për shkak se ata mund t’i prekin dhe ngacmojnë me duar. Pak më të komplikuara janë sendet jo të ngurta.

Merrni për shembull supën, ndonjëherë për sytë e fëmijëve të vegjël ajo është një tas, ndonjëherë personifikohet me një lugë dhe herë të tjera është thjesht diçka e rënë në dysheme. Nëse fëmija nuk e prek apo shijon atë, ai do ta ketë të vështirë t’ia mësojë emrin apo ta dallojë nga ndonjë gjë tjetër.

Për të testuar sesi fëmijët i mësojnë emrat e substancave të ndryshueshme, kërkuesit paraqitën përpara tyre 14 artikuj të lëngshëm, gjëra që fëmijët mund t’i fusnin pa problem në gojë.

Teksa studiuesit ua dhanë fëmijëve lëndët, i mësonin t’i quanin me emra të sajuar. Pak më vonë, ata i pyetën fëmijët nëse e dinin emrin e një substance, që iu prezantua në një përmasë apo formë tjetër nga e fillimit.

Fëmijët që e mbanin mend emrin e artikullit mbështeteshin te më shumë sesa pamja. Kështu, të vegjlit që e kishin trajtuar në të gjitha format substancën e dhënë prej studiuesve, që nga shijimi deri te hedhja e saj në dysheme apo në mure, arrinin ta kujtonin shumë mirë emrin edhe kur ndryshonte forma apo ena ku ishte hedhur masa.

E gjithë rrëmuja e shkaktuar, në fakt bëhej për të mësuar. Ndihmonte shumë edhe fakti që ata ishin ulur në një karrige posaçërisht për fëmijë të vegjël. “Rezultoi se qëndrimi në një karrige për fëmijë, i rrit gjasat e rrëmujës, sepse fëmijët e dinë që aty mund të bëjnë ç’të duan”, tha profesoresha e  psikologjisë, Larisa Samuelson.

Loja me ushqimin i lejon fëmijët t’i mësojnë më shpejt emrat e ushqimeve apo objekteve, sidomos atyre të lëngshme apo të rrëshqitshme.

Ky fakt u mbështet edhe nga një tjetër kërkim që zbuloi se mësimi i shpejtë dhe efektiv përfshin lirshmërinë për të provuar gjëra të reja dhe të çuditshme.

Këtu futet vënia në funksionim e shqisës së të prekurit dhe të nuhaturit, që ndihmojnë në eksplorimin e gjërave të reja. Sa më i hapur të jetë truri ndaj një informacioni të tillë, aq më shpejt mësojnë fëmijët për ambientin që i rrethon, përfshirë këtu edhe gjërat që ndryshojnë formë apo janë të vështira për t’u kujtuar.

Nuk është e thënë që të gjithë fëmijët e rrëmujshëm do të bëhen gjeni, por kjo është mënyra më efektive për të mësuar aftësi të reja në një fazë kaq të hershme të jetës.

Këshilla për prindërit e rinj? Lërini fëmijët tuaj të bëjnë pis, do të mësojnë më shumë sesa duke i këshilluar në gjuhën që ata e kanë të vështirë ta mësojnë.

Share With:
Translate »
915 Views