Fëmijët përdoren si armë lufte

2017 lë pas shifra alarmante sa i përket numrit të fëmijëvë që kanë mbetur viktima në zonat e luftës. Në raportin vjetor të UNICEF theksohet se kanë humbur jetën 5 herë më shumë të mitur se një vit më parë.

Sipas organizatës për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, të paktën 135 fëmijë janë përdorur si kamikazë në konfliktet në Nigeri dhe Kamerun. Ndërsa në Jemen, rreth 5000 fëmijë kanë mbetur viktima të luftës. Në Sudanin e Jugut për shkak të ekonomisë së rrënuar, më shumë se 19 mijë fëmijë janë rekrutuar në ushtri dhe 2300 janë vrarë ose gjymtuar që prej nisjes së konfliktit në këtë vend në 2013-tën.

Në republikën demokratike të Kongos, dhuna ka shtyrë rreth 850 mijë fëmijë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe plot 350 mijë kanë vuajtur nga kequshqyerja.

UNICEF ka deklaruar se janë injoruar ligjet për mbrojtjen e fëmijëve. Organizata në mbrojtje të drejtave të fëmijëve kërkon që autoritetet të marrin masa që kjo situatë alarmante që ka prekur fëmijët në disa vende të botës të mos kthehet në normalitet.

Share With:
Translate »
1038 Views