Fëmijët rrinë me nënën në Gjermani, psikologia shqiptare bën raport në favor të babait
Lidhur me rastin e zonjës Ana Gjokola, avokati i ish-bashkëshortit, Idajet Beqiri, thotë për emisionin “Stop”, se nëna i ka braktisur fëmijët edhe pse në fakt ata janë me të ëmën.
Idajet Beqiri: Autoritetet gjermane e panë që ajo i kishte braktisur fëmijët dhe prandaj ia ka lënë të atit. Edhe psikologia gjermane ka dhënë rekomandimin që babai ka të gjitha kushtet që të ketë kujdestarinë e fëmijëve. Aq më shumë për ato që thonë autoritetet gjermane, kushtet e tij të banimit në Shqipëri, shtëpi banimi, ka tokë etj., atëherë ky duhet t’i marrë fëmijët dhe të ketë kujdestarinë.
Gazetarja: Si ka mundësi që fëmijët i janë dhënë nënës dhe po bëjnë një jetë të kënaqshme? Fëmijët prej 2017 rezultojnë me nënën.
Idajet Beqiri: Flas për kohën që ka ardhur Lulëzimi në Shqipëri. Letrat që ka sjellë nga andeja, që nëna ka braktisur fëmijët, akti psikologjik etj, pasi i ka sjellë të gjitha këto ka kërkuar zgjidhjen e martesës. Zgjidhja e martesës bëhet vetëm në Shqipëri nuk bëhet në ndonjë vend tjetër., Gjykata e Shqipërisë ka bërë zgjidhjen e martesës. Kur është bërë shpallja dhe pasi ka parë aktin psikologjik të psikologes gjermane dhe rekomandimin që ka dhënë gjykata gjermane që të mbajë fëmijët gjykata e ka quajtur të mjaftueshme sepse nuk e njihte nënën.
Gazetarja: Në dijeninë tuaj a ka pasur komunikim zoti Feza pas dëbimit nga Gjermania?
Idajet Beqiri: Nuk kam dijeni.
Psikologia Ines Haxhimali nuk ka patur asnjë kontakt me fëmijët, por kjo nuk e ka penguar, që të hartojë një raport, ku shprehet, se e mira e tyre është, që të qëndrojnë me babain.
Për këtë situatë dhe një raport fiktiv “Stop” iu drejtua psikologes Gejsi Ndoja, e cila shprehet qartë, se raporti bëhet vetëm pas takimit me fëmijët dhe analizës së kushteve.
Nëse kjo nuk realizohet, dokumenti i hartuar nuk ka asnjë vlerë.
“Në këto raste është detyrim që të dyja palët të takohen me psikologun dhe të bëhet vlerësimi i tyre. Edhe kur ndodhen jashtë kërkohet takim. Ka shkuar psikologu në vendin ku fëmija jeton dhe është parë marrëdhënia me prindin. Po ashtu në rastin e pamundur që prindi tjetër të jetë prezent. Mundësitë për të shkuar janë shumë të thjeshta. Në këto kushte kur nuk është kryer asnjë nga këto, ky raport, për mendimin tim nuk ka një vlerë pasi primare janë fëmijët dhe raporti ndërtohet mbi interesin më të lartë të fëmijëve”, tha psikologia.