Fëmijëve u nevojiten arti, historitë, poemat dhe muzika po aq shumë sa dashuria, ushqimi dhe lojërat
Fëmijëve u nevojitet arti, historitë, poemat dhe muzika po aq shumë sa iu nevojitet dashuria, ushqimi, ajri i freskët dhe lojërat – thotë Philip Pullman.
Nëse nuk i jepni fëmijës ushqim, dëmi shpejt bëhet i dukshëm. Nëse nuk e lini fëmijën të ketë ajër të freskët dhe të luajë, dëmi gjithashtu shihet, por jo aq shpejt.
Nëse nuk i jepni fëmijës dashuri, dëmi mund të mos shihet për plot vite, por është i përjetshëm.
Por, nëse nuk i jepni fëmijës art, histori, poema dhe muzikë, dëmi nuk është aq i lehtë për t’u parë. Megjithatë, ekziston. Trupat e tyre janë mjaftueshëm të shëndetshëm; ata mund të vrapojnë, kërcejnë, notojnë, hanë ushqim dhe të bëjnë shumë zhurmë, siç edhe kanë bërë gjithmonë fëmijët, por diçka iu mungon.
Është e vërtetë se disa fëmijë rriten pa u ballafaquar ndonjëherë me ndonjë lloj arti dhe janë krejtësisht të lumtur, bëjnë jetë të mirë e të vlefshme, dhe në shtëpitë e atyre nuk ka libra, dhe nuk brengosen për piktura dhe nuk mund ta kuptojnë rëndësinë e muzikës.
Epo, kjo është në rregull. Disa njerëzve u pëlqen ajo. Ata janë fqinj të mirë dhe qytetarë të nevojshëm.
Por, njerëzit tjerë, në ndonjë fazë të fëmijërisë apo rinisë së tyre, ose edhe në moshë të shtyrë, përballen me diçka që asnjëherë nuk e kanë ëndërruar më parë. Një ditë ata e dëgjojnë një zë në radio duke lexuar një poemë ose kalojnë pranë një shtëpi me dritare hapur ku dikush është duke luajtur në piano, ose e shohin një pikturë në murin e dikujt dhe tronditen shumë.
Askush nuk i ka përgatitur për këtë. Ata papritmas e kuptojnë se janë të mbushur me uri, ndonëse këtë nuk e kanë ditur deri para pak momenteve; e kanë një uri për diçka kaq të ëmbël e të shijshme saqë pothuajse ua thyen zemrat.
Ata ndoshta qajnë, ndihen të pikëlluar dhe të lumtur, të vetmuar e të mirëpritur nga kjo përvojë e huaj dhe krejtësisht e re, dhe dëshpërimisht duan ta dëgjojnë më mirë radion, duan të qëndrojnë jashtë pranë dritares dhe nuk mund t’i largojnë sytë nga piktura.
Ata e kanë dashur këtë, ata e kanë dashur këtë sikurse një personi i uritur që e dëshiron ushqimin, dhe asnjëherë nuk e kanë ditur. Nuk kanë pasur ide.
Dhe disa njerëz, njerëz të mirë e të sjellshëm, qytetarë të dobishëm, asnjëherë nuk ep përjetojnë këtë ndjenjë – ndihen plotësisht të përmbushur edhe pa këtë ndjenjë. Nëse të gjitha librat, muzikat e pikturat në botë do të zhdukeshin brenda nate, ata nuk do të ndiheshin fare keq; thjesht nuk do ta vërenin.
Por, kjo uri ekziston te shumë fëmijë dhe shpeshherë nuk iu përmbushet sepse nuk iu zgjohet si dëshirë.
Fëmijët në çdo pjesë të botës janë të uritur për diçka që i ushqen e ua përmbush shpirtin në një mënyrë që asnjë apo asgjë tjetër nuk do të mundet asnjëherë.
Ne themi, në mënyrë korrekte, se çdo fëmijë ka të drejtë për ushqim e strehë, për edukim, kujdes shëndetësor, etj. Por, duhet ta kuptojmë se çdo fëmijë e ka të drejtën ta përjetojë kulturën. Ne duhet ta kuptojmë se pa histori, poema, piktura dhe muzikë, fëmijët do të vdesin urie!