Fifi flet për bullzimin që ka përjetuar në fëmijëri

Në një rrëfim të gjatë për “A Live Night”, Fifi foli për të pathënat e jetës së saj, për atë pjesë që nuk preferon ta tregojë shpesh. Ajo preku një moment delikat nga fëmijëria, kur ka vuajtur vazhdimisht bullizmin në shkollë.

“Që kur isha fëmijë e kam pasur bullizimin të pranishëm në jetën time. ‘Ti s’di shqip; Nuk di të flasësh; Je e trashë’. E kam diskutuar me mijëra herë dhe s’dua ta përsëris, sepse nuk më jep energji shumë të mirë. Kam qenë fëmijë shumë i ndrojtur deri në shkollën e mesme. Kam pasur në klasë 2-3 shoqe, por kam ndërruar shkollën, sepse mami filloi të punonte në një shkollë në Prishtinë.

Ajo na mori atje që të na kishte nën kontroll, shtëpinë e kishim larg dhe e bënim rrugën bashkë. Ishte problem për mua të krijoja shoqëri të re. Ndryshimi im ka filluar në shkollë të mesme kur isha 17 vjeçe. Ngaqë kam dëgjuar gjithë kohës njerëz duke më ofenduar e sharë, s’kam reaguar kurrë, por erdhi momenti kur nuk mund të duroja më. Nga ai moment nuk jam ndalur më dhe kam thënë çdo gjë që kam menduar mirë apo keq. Nuk jam njeri që të them një gënjeshtër për të bërë qejfin”, -rrëfeu Fifi.

Këngëtarja tregoi gjithashtu vështirësitë dhe sakrificat e prindërve të saj, gjë që e ka bërë që sot të vlerësojë çdo gjë që ka.

“Që nga mosha 6-7 vjeç deri në 22 vjeç ishim të gjithë me valixhe në dorë dhe ishte shumë e rëndë psikologjikisht. Për këtë arsye unë ia di rëndësinë çdo gjëje, edhe asaj më të vogël. Dua pak, por e dua me nder. Unë jam njeri që kam dashur gjithmonë të bëj krenar babin dhe nënën, shpresoj ta kam arritur qëllimin. Ata kanë shitur të gjithë floririn që kanë pasur për mua. Nëse unë them që kam sakrifikuar për ta, s’kam bërë asgjë. Ata më kanë dhënë mundësinë të jetoj që është gjëja më e bukur në botë”, -tha ajo.

Fifi e mbylli duke u shprehur se prindërit janë gjëja më e shenjtë në botë për të.

Share With:
Translate »
106 Views