Filmi i parë i animuar shqiptar, a u ndalua nga sistemi i kohës?!
Viti 1975 njihet si viti kur në Shqipëri u prodhua i pari film multiplikativ shqiptar. Bëhet fjalë për filmin “Zana dhe Miri” të piktorit Vlash Droboniku, të realizuar në teknikën e kartonave. Ky film u pasua edhe me të tjerë filma multiplikativë, duke bërë që vetëm një vit më vonë të prodhoheshin 4 filma, numër që filloi të rritej nga viti në vit. Ekipi krijues filloi të zgjerohej, ndërsa baza teknike ishte ende e dobët, pasi u përdorën aparatura të vjetra, të cilat u adaptuan për këtë qëllim.
Megjithatë, në vitin 1977 u arrit që të kalohej nga kartoni i animuar në të parin film me vizatime, “Zhgarravinat”, me regjisor-piktor Bujar Kapexhiun. Filmi rezultoi i suksesëshëm dhe u nderua me Kupën e Festivalit të Dytë të Filmit Shqiptar për gjininë e tij dhe me çmimin e Parë në Festivalin e Tretë të Filmit Ballkanik në Stamboll (Turqi); duke shënuar kështu edhe të parin çmim për filmat shqiptarë në Festivalet Ndërkombëtare të Filmave.
Ndërsa regjisori Esat Musliu, piktori Astrit Tota dhe operatori Faruk Basha prodhuan të parin film me kukulla “Vajza me pata”, teknikë që u pasua më vonë në një seri filmash të Vlash Drobonikut. Themeluesit e filmit vizatimor u bënë Vlash Droboniku e Bujar Kapexhiu dhe pas tyre vijuan një plejadë e tërë piktorësh dhe regjisorësh, si: Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Gazmend Leka, Artur Muharremi, Majlinda Agolli, Artur Dauti, Artan Maku, Stefan Taçi, etj.
FILMI I PARË, I NDALUAR NGA SISTEMI?! – Gradualisht baza teknike u rrit, duke kaluar në atelie më të modernizuara, që dhanë mundësi për xhirime më të komplikuara dhe teknika më të avancuara. Xhirimi i filmave vizatimorë filloi të konsolidohej dhe të rritej nga viti në vit. Kështu, deri në vitin 1995 numëroheshin mbi 160 tituj filmash vizatimorë të teknikave të ndryshme.
FILMAT, PA KONTAKT ME PUBLIKUN – Por, pas vitit 1997, me mbylljen e Kinostudios, rrugëtimi i filmit të animuar ndryshoi. Prodhimi i tij u diktua nga të tjera kushte, ndërsa problematikë e madhe është jo vetëm prodhimi, por edhe shfaqja e këtyre filmave, të cilët nuk arrijnë të shkojnë te publiku. Ana financiare është gjithashtu një tjetër problematikë, që ndikon në prodhimin e filmit të animuar, ndërkohë që kohëzgjatja e këtyre filmave dhe investimi në ta lidhet së shumti edhe me teknikat e realizimit.
SA KUSHTON NJË FILM I ANIMUAR? – Filmi i animuar është një gjini arti që tradicionalisht në Shqipëri është parë thuajse ekskluzivisht e orientuar drejt fëmijëve dhe madje etiketohej si filmi vizatimor për fëmijë, gjë që pas ’90-ës ka ndryshuar, ndërkohë që bashkë me idenë për filmin e animuar kanë avancuar edhe teknikat e përdorura për prodhimin e tij.
Filmat e animuar janë një gjini e veçantë dhe e rëndësishme e filmit shqiptar. Ata mbartin në vetvete histori, krah punës së bërë për realizimin e tyre. Sot, filmi i animuar në Shqipëri, pavarësisht problemeve, vijon prodhimin e tij dhe shfaqet në festivale, por jo në të njëjtën formë të organizuar dhe nuk arrin të shkojë afër publikut, edhe për shkak të mungesës së vëmendjes për të shfaqur këta filma në ekrane. / Përgatiti: Blerina Goce