Finale me personazhe të rëndësishëm, mezi po presim ‘Në kurthin e Piter Pan’
Një finale me personazhe të rëndësishëm. Puntatën e fundit të emisionit “Në Kurthin e Piter Pan” që transmetohet çdo të hënë në televizionin Klan, do të ketë 3 personazhe, që do t’ju mbajnë të mbërthyer përpara ekranit. 11 puntata kanë kaluar shumë shpejt, dhe nesër është finalja e këtij emisioni kaq argëtues, që ka dhuruar kaq shumë dashuri, por edhe humor të sinqertë nga vetë fëmijët. Shumë personazhe të ndryshme të ekranit, por jo vetëm janë vënë përballë pyetjeve të sikletshme të fëmijëve në këto 11 puntata. Nesër në mbrëmje, 3 personazhe të tjerë do të bien “Në Kurthin e Piter Pan”. Por kush janë këta të ftuar? Për t’ju shuar kuriozitetin juve që nuk prisni dot deri nesër në orën 20:15, ua tregojmë sonte kush do të jenë personazhet VIP të finales.

E ftuara e parë është Linda Rama. Rrallëherë e shohim në intervista televizive, por Linda Rama nesër do të jetë përballë fëmijëve, për të rrëfyer dimensionin e saj si profesioniste, gruaja e kryeministrit të Shqipërisë, dhe mamaja e një djali 4-vjeçar. Me siguri, duke qenë nëna e një 4-vjeçari, zonja Rama do të jetë paksa e mësuar nga pyetjet e një Piter Panisti.
Nga zonja Linda Rama, do të kalojmë tek një talent shqiptar, që rrënjët i ka në Shqipëri, por gjethet i ka në Itali. Ka fituar Sanremon, dhe është rënditur i pesti në Eurovizion. Ka krenuar anë e mbanë shqiptarët, pasi asnjëherë nuk e ka mohuar origjinën e tij. Zonja dhe Zotërinj, nesër në finalen e madhe të Piter Panit, do të jetë përballë fëmijëve Ermal Meta.

E treta por jo më pak e rëndësishmja, është në hapat e duhur për t’u bërë një artiste e madhe. Karrierën e saj e nisi shumë e vogël, por sot pa frikë mund të quhet një këngëtare e madhe. “Nëntori” i saj ka thyer parashikimet, duke u dëgjuar anë e mbanë botës. Për kënaqësinë e shumë fansave të sajë, por edhe të fëmijëve të Piter Panit, nëser do të jetë përballë gazetarëve të vegjël, Arilena Ara.

Një super finale apo jo?