Gaboi me zgjidhjen e ekuacionit të klasës së 7-të, Albin Kurti: Kërkoj falje!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë ditën e djeshme në inaugurimin e një shkolle në komunën e Podujevës. Në një klasë Kurti ka provuar zgjidhjen e një ekuacioni të klasës së shtatë, por në fund rezultoi se e kishte bërë gabim.

Pas publikimit të rastit në rrjetet sociale, kanë reaguar shumë qytetarë të cilët kanë komentuar se zgjidhja është gabim. Në ekuacion, Kurtit i doli 5 rezultati i X ndërsa duhej të ishte 0. Gabimin e ka pranuar edhe vetë Kurti pak orë më vonë me një reagim në Facebook.

Kurti i drejtohet me një kërkim ndjese nxënësve të klasës ku ishte i pranishëm dhe u thotë se po të mendonte pak, do ta shihte që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, thotë Kurti, nuk beson se do të merrte mundin të merrte shkumësin e të shkruante në dërrasën e klasës.

“Kërkim falje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”. Të dashur nxënës, ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve.

Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0. Ju përshëndes e ju dua fort, Albini”, shkroi Kurti.

Share With:
Translate »
32 Views