Gazetarja e njohur rrëfehet për familjen dhe pikën e saj të dobët
Nisida Tufa, gazetarja dhe moderatorja e njohur e shumë programeve televizive, ishte sot e ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan. Përveç projekteve të njëpasnjëshme televizive, programeve dhe sfidave përballë të cilave Nisida nuk është trembur asnjëherë, sot, në një profil më personal, ka rrëfyer më shumë edhe për familjen e saj.

Që nga viti 2009, Nisida është e martuar me njeriun të cilin e ka njohur në ambientet e punës, por jo në të njëjtin profesion me të. Bashkëshorti i Nisidës është inxhinier dhe gjithmonë ka qenë krahu i djathtë e mbështetësi më i madh i Nisidës: “Jemi njohur në ambientet e GSH-së, në News 24 u fejuam dhe u martuam”, – tregon Nisida për bashkëshortin.
Martesa, tregon ajo, nuk ndryshoi shumë gjëra në jetën e saj, meqenëse jeta si gazetare ka qenë gjithmonë impenjative dhe me shumë ritëm, por jeta si nënë, pa dyshim, merr një rrjedhë të re.

Sot, çifti janë prindër të lumtur të dy djemve, Enio, 7-vjeçar dhe Joni, 5-vjeçar. E lumtur që është nënë djemsh, Nisida tregon se do t’i pëlqente të kishte edhe një vajzë, por për momentin e konsideron të mbyllur çështjen e fëmijëve.
Por nuk mbaroi me kaq. Nisida rrëfeu edhe për lidhjen e veçantë që ka me prindërit e sidomos me të atin, i cili sot edhe i kishte përgatitur gazetares një videomesazh. Duke shprehur krenarinë për arritjet dhe karrierën televizive të së bijës, babai i Nisidës kujtoi pak edhe fëmijërinë e saj, kur ajo e pyeste për çdo gjë që shikonte dhe për çdo detaj: “Si duket këto ishin shenjat e para për t’u bërë një gazetare e mirë” – tha ai ndër të tjera në videomesazhin e tij duke i uruar të bijës shumë fat në rrugën e gjatë të gazetarisë.