Gentian Zenelaj rrëfehet për familjen dhe planet për politikën: “Ja kam nisur nga zero”
Aktori i njohur Gent Zenelaj ka treguar së fundmi detaje nga jeta e tij personale duke zbuluar dhe nëse do t’i futet ndonjëherë politikës.
I pyetur se kush fëmijë i ngjan më shumë Zenelaj tha se të dy i ngjajnë shumë por vajza, Aria është më pranë tij. “I dua shumë të dy dhe nuk di t’i dalloj dot”, u shpreh aktori. Ndërsa lidhur me raportin me gruan e tij ai u shpreh: “Unë dhe Aida kemi bashkë që në vitin 1998. Nuk ka një sekret që e mban marrëdhënien tonë. Nuk mjafton vetëm dashuria. Kushdo që përpiqet t’ju shesë receta apo libra se si funksionon ja ka futur kot. Nuk ka asnjë sekret, asnjë recetë. Eshtë marrëdhënie që ecën diku nga dashuria, diku nga respekti e diku nga fëmijët. Sepse ka ulje ngritje. Unë do të zgjidhja sërish të njëjtin njeri edhe 1 mijë herë të tjera po të më jepej mundësia. Ne ja kemi nisur nga zero dhe kemi vazhduar bashkë”.
Ai ka zbuluar dhe raportin që ka me rrjetet sociale duke treguar se djali dhe miku i tij Jul Deda e kanë shtyrë gjithmonë të jetë më aktiv, për emisionin ‘FitStation”.

“Kam një adresë në Tik Tok që e kam hapur prej djalit tim Danielit dhe të një moshatari të djalit tim që është Jul Deda, është 14 vjeç sa djali im që thotë hape, hape. Të njëjtën gjë më ka bërë Juli dhe për instagramin dhe për facebook”- u shpreh aktori.
Moderatorja: Ka personazhe që tentojnë të bëjnë humor në Tik Tok?
Gent Zenelaj: Padiskutim, kur publiku ka pranuar Gentin një djalë nga Shëngjini që të bënte humor, dhe e ka përqafuar, çdo njeri i ka dyert e hapura. Unë jam djali që kam ardhur nga një provincë e vogël, që ka njerëz kryesisht peshkatarë, pa asnjë lloji qasje arti, kush jam unë të them që nuk kanë të drejtë të tjerët.
Moderatorja: E ke menduar ndonjëherë të bëhesh pjesë e politikës?
Gent Zenelaj: Çdo ditë. Një miku im politikan më tha nuk ndryshohet sistemi po nuk u fute brenda sistemit. Problemi më i madh është se politika ka shumë para brenda dhe tendenca që ta ç’orientosh busullën e ndërgjegjes tënde është shumë e fortë, fillojnë tenderat apo postet. Ka sot njerëz të padukshëm që marrin 6 rroga dhe ne nuk e dimë. Janë njerëz që për fatin tonë të keq hiqen sikur janë pjesë e shoqërisë civile, ata janë më të rrezikshmit. E mendoj çdo ditë të jem pjesë e politikës, nuk e di nëse jam i duhuri se nuk e përcaktoj unë e përcakton populli apo elektorati. Unë kam vendosur të jem i sinqertë dhe i vërtetë aq sa mundem.