Gjinekologia: Në 25 vite eksperiencë, anomalitë më të mëdha i kam parë te nënat e reja
Një studim i publikuar së fundmi me mbi 31.000 lindje ka treguar se gratë e grupmoshës 23-32 vjeç kanë gjasa të lindin fëmijë më të shëndetshëm.
Gjinekologia Edlira Bylykbashi tha në emisionin “Good Morning Albanians” se mosha më e mirë për të bërë fëmijë është deri në 30 vjeç, për shkak të cilësisë së vezëve, por shtoi se gjatë punës së saj anomalitë më të shumta i ka parë tek moshat shumë të reja.
“Kanë kaluar 25 vjet punë dhe vërtetë themi që mosha mbi 35 vjeç ka më shumë gjasa për anomali, por ajo që më ka bërë përshtypje është se numrin më të lartë të anomalive e kam pasur te moshat më të reja, 18, 19 vjeç; që nga probleme të buzës, probleme kardiake. Ky fakt më bën të mendoj se ndoshta nuk është vetëm problemi moshë, por edhe faktorët ambientalë që reflektohen tek anomalitë. Por sigurisht që mosha më e mirë është deri te 30 vjeç, pasi cilësia e vezëve është më e lartë. Me moshën bie aftësia fekonduese e vezëve”, tha gjinekologia.