“Gjuha e lidhur” prek 10% të bebeve; historia e djalit 6-vjeçar që nuk foli kurrë derisa prindërit i panë gjuhën
Të të lidhet gjuha, nuk është thjesht një shprehje që përdorim rëndomë në jetën e përditshme, kur dikush nuk arrin të shprehet, por një problem shëndetësor, njohur me termin shkencor ankyloglossi.
Ky problem shfaqet që në lindje, por prindërit mund ta kuptojnë vetëm pas moshës 2-vjeçare atëherë kur fëmijët zhvillojnë fjalorin, imitojnë të rriturit dhe formojnë fraza të thjeshta.
Siç shpjegon Klinika Mayo, lidhja e gjuhës është një problem që lind me foshnjen dhe kufizon lëvizjet e gjuhës për shkak të muskulit jashtëzakonisht të shkurtër, të trashë ose të ngushtë të gjuhës .Lidhja e gjuhës mund të ndikojë në mënyrën se si fëmija ha, flet dhe gëlltit. Kjo gjendje shëndetësore prek 4 deri në 10 përqind të popullsisë.
Mason Motz, një djalë 6-vjeçar nga Teksasi, e kaloi shumicën e jetës së tij në heshtje. Prindërit e tij besonin se ai ishte memec dhe kishte probleme me të nxënët, por një vizitë tek dentisti, zbuloi se djali vuante nga “lidhja e gjuhës”.

“Asgjë nuk po funksiononte” tha nëna e tij Meredith për Inside Edition. “Ai kishte ndoshta një fjalor me pesë fjalë dhe ne po shqyrtonim mjetet alternative të komunikimit”.
Sipas prindërve të Masonit, djali pësoi një aneurizëm të trurit kur ai ishte vetëm 10 ditësh dhe kjo, nga ana tjetër, shkaktoi vonesa në zhvillim, të cilat mund të kenë qenë arsyeja pse mjekët nuk e përfillën zgjidhjen më të thjeshtë të “lidhjes së gjuhës”, një problem mjekësor i trajtueshëm.
Në disa raste, simptomat e lidhjes së gjuhës nuk bëhen të dukshme derisa foshnja të ketë probleme me ushqyerjen me gji , e cila është e vështirë për foshnjat, sepse nuk mund t’i hapin gojët e tyre aq sa mund të pinë gji.
Por djalit iu deshën gjashtë vite në heshtje, që prindërit të provonin se ai nuk ishte i prapambetur, por kishte thjesht një problem fizik. Jeta e tij ndryshoi në moshën gjashtë-vjeçare, kur përmes një ndërhyrjeje të thjeshtë me lazer vetëm 30 sekonda, indi i trashë që nuk lejonte muskulin e gjuhës të rrotullohej e lëviste si të gjithë njerëzit e tjerë, u shkëput.
Nëna e djalit Meredith shprehet e tronditur sesi kishte pritur gjashtë vite, për të marrë këtë vendim. Po atë natë që u kthyen në shtëpi, për tetë orë , djali filloi të fliste sikur të mos e kishte patur kurrë atë problem . Ndaj nëse vëreni që foshnja ka vështirësi në ushqyerjen me gji, ose artikulimin e fjalëve shikojini, gjuhën.
