Gjykata: Burg për Princin, Elian dhe babain e saj

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar në gjykatë që Princ Leka Zogu të dënohet me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale “Dhuna në familje”, për ngjarjen e ndodhur në Oborrin Mbretëror muaj më parë. Ky dënim, sipas organit të akuzës duhet të konvertohet në shërbim prove.

Princi nuk shkon në burg por për një vit e gjysmë s’duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale, ndryshe do të shkojë menjëherë në qeli.

Po ashtu, Prokuroria e Tiranës në pretencën e dhënë kërkon edhe dënimin me 6 muaj burg për ish-bashkëshorten e Lekës, aktoren Elia Zaharia, si dhe 1 vit për ish-vjehrrin Gjergj Zaharia. Ashtu si për Princin, edhe për Elian dhe babain e saj, organi i akuzës kërkon vënien në shërbim prove.

Prokurori Dritan Nushi ka pranuar gjykimin e shkurtuar për të tre këta shtetas, të cilët akuzohen për veprën penale “Dhuna në familje”. Tashmë, do të jetë gjyqtarja Migena Laska ajo që do të vendosë më 13 Dhjetor, nëse pretenca e dhënë do të pranohet, apo jo.

Prokuroria e Tiranës ka pushuar çështjen për nxjerrjen e sekretit hetimor, pas publikimit videos së bujshme në Oborrin Mbretëror, ku Princ Leka dhe Elia Zaharia shiheshin teksa sulmonin fizikisht njëri-tjetrin.

Më herët Princ Leka hodhi dyshime se kjo video është nxjerrë nga struktura e Policisë, apo dhe vet nga Prokuroria. Mirëpo, këto pretendime të Princit janë hedhur poshtë pasi organi i akuzës ka dalë në konkluzion se kjo video ka dalë nga vetë Princi, i cili ishte krijuesi dhe poseduesi i këtij materiali filmik.

Në ditët e para të Marsit 2024, Princ Leka dhe bashkëshortja e tij Elia Zaharia u përfshinë në një episod të dhunshëm mes tyre, ku protagonist ka qenë edhe babai i aktores, Gjergj Zaharia. Ngjarja u bë edhe më e bujshme, pasi pamjet e sherrit qarkulluan në rrjetet sociale.

Pas kësaj Princ Leka dhe Elia Zaharia u pajisën me urdhër-mbrojtje për 6 muaj ndaj njëri-tjetrit.

Share With:
Translate »
63 Views