Gjykata foli, Renato Muhaj nuk do ta shohë më kurrë të bijën, nuk shfaq pendesë
Rreth 20 orë pasi kreu një sërë krimesh, Renato Muhaj doli para gjykatës në SHBA. 8 janë akuzat që rëndojnë mbi shqiptarin, më e rënda ajo e vrasjes së ish-partneres Suela Saliaj, gjithashtu shqiptare
Prokuroria e Largo në Florida thotë se krimet e 34-vjeçarit sa erdhën dhe u përkeqësuan në një hark kohor prej pak orësh. Megjithatë ashtu siç nuk arriti dot të shkonte larg me vajzën e tij 8-vjeçare të cilën e rrëmbeu, dita kur do të lerë qelinë do të jetë e largët.
“Doja që Suela të vdiste”, shqiptari që vrau ish-partneren në sy të vajzës në SHBA del në gjykatë: Nuk shfaq asnjëlloj emocioni dhe bën vetëm një pyetje….
LEXO MË SHUMË https://t.co/e7C6HHuBVg pic.twitter.com/IU4pjqqCjN— RTV KLAN (@rtvklan) January 31, 2024
Mediat amerikane, publikuan pamjet e Muhaj në gjykatë.
Gjyqtari i lexoi shqiptarit listën e gjatë të akuzave që rëndojnë mbi të, i vendosi 50 mijë dollarë si garanci pasurore dhe ashtu siç artikuloi shifrën, e njoftoi se nuk do të ishte e mundur ta përdorte këtë të drejtë, për shkak të akuzës së vrasjes së shkallës së parë.
Detektivët thonë se Muhaj vrau brutalisht Suelën, e më pas e rrëmbeu të bijën. Me të zbuluar trupin e së resë dhe mungesën e vajzës së saj të vogël autoritetet lëshuan alarmin AMBER.
Muhaj u gjet pak kohë më pas bashkë me të bijën në makinë dhe u arrestua.
Në dosjen hetimore që mediat amerikane kanë publikuar, detektivët përshkruajnë sulmin e Muhajt ndaj prindërve të tij në Clearwater rreth orës 02:45 të së hënës dhe sesi nuk i lejoi që të telefonin 911 (shërbimi i emergjencës). Detektivët shkruajnë se më pas ai shkoi tek shtëpia e Suelës, në Largo, ku përdori përforcues grushti dhe thikë për ta rrahur dhe vrarë atë në sy të vajzës së tyre 8-vjeçare.
Kjo e fundit i tha policisë se e kishte pyetur të atin se përse ia vrau të ëmën dhe ai i tha se ‘donte që Suela të vdiste’. Hetuesit i gjetën armët e krimit në vendin e ngjarjes. 8-vjeçarja rrëfeu po ashtu se pas vrasjes, i ati e tërhoqi me forcë për ta futur në makinë (Lexo më shumë).
Krimi i la fqinjët të shokuar: “Është shumë e trishtë të dëgjosh çfarë i ndodhi nënës së saj, është kaq e vogël”, shprehet një prej tyre.
Gjykatësi u sigurua po ashtu që Muhaj nuk do të jetë kurrë në gjendje ta shohë vajzën e tij, nëse ndonjë ditë del nga burgu. Ndërkohë, vetë 34-vjeçari në gjykatë nuk shprehu asnjëlloj emocioni. Ai pati vetëm një pyetje: “A do caktoni avokat për mua?”
“Po”, iu përgjigj gjyqtari, duke shtuar se avokati ishte prezent në seancë.
Në mesin e akuzave që rëndojnë mbi 34-vjeçarin janë vrasje, abuzim me të miturit, rrëmbim dhe dhunë ndaj vetë prindërve të tij