Gjyshet janë më të lidhura me nipërit sesa me fëmijët dhe kjo është provuar shkencërisht
Një studim i ri nga Universiteti Emory në Atlanta, Georgia ka vërtetuar atë që shumica e njerëzve vënë re çdo ditë: gjyshet lidhen me nipërit e mbesat e tyre më shumë dhe ndryshe nga sa janë lidhur me fëmijët.
I interesuar për të studiuar vlerën evolucionare të gjyshes, James Rilling, një profesor i antropologjisë, psikiatrisë dhe shkencave të sjelljes në Emory, mati funksionin e trurit të rreth 50 grave me të paktën një nip biologjik të moshës 3-12 vjeç.
Studimi përdori imazhe funksionale të rezonancës magnetike për të skanuar trurin e gjysheve teksa shikonin fotot e një nipi, prindërve të fëmijës (pra fëmijës së tyre) dhe imazhet e një fëmije dhe të rrituri me të cilin nuk kishin asnjë lidhje.
“Kur gjyshet shikonin fotot e nipërve të tyre, ato aktivizonin veçanërisht rajonet e trurit që janë të implikuar në ndjeshmërinë emocionale, të tilla si kortikat somatosensore insulare dhe sekondare”, tha Rilling për gjetjet e tij, të cilat u botuan muajin e kaluar në revistën Proceedings of the Royal.
E thënë thjesht, aktivizohej ’empatia emocionale’ që është aftësia për të ndjerë emocionet që një person tjetër po ndjen.
Diçka tjetër ndodhi kur grupi i gjysheve panë fotot e prindërve të nipërve, që jo domosdoshmërisht ishte fëmija i tyre, por mund të ishte nusja ose dhëndri.
“Kur shikonin fotot e prindit të të njëjtit seks të nipit, i cili ishte shpesh, por jo gjithmonë ishte fëmija biologjik i gjyshes, ato aktivizuan veçanërisht zona të trurit të përfshira me ndjeshmërinë njohëse, si precuneus,” thotë studiuesi.
Empatia njohëse (e quajtur edhe teoria e mendjes) është të kuptuarit në një nivel njohës se çfarë po mendon ose ndjen dikush dhe pse, pra ka më pak përvojë emocionale të përbashkët.
Rilling dhe ekipi i tij kryen një studim të ngjashëm me baballarët e fëmijëve. U kërkuan atyre të shikonin fotot e fëmijëve. Krahasuar me të dhënat nga ai grup baballarësh, gjyshet treguan aktivizim më të fortë se baballarët brenda zonave të trurit që përgjigjen për ndjeshmërinë emocionale dhe zona të përfshira në shpërblim dhe motivim.
Rilling tha se është e rëndësishme të theksohet këtu se kishte disa ndryshime nga personi në person brenda grupeve. Për shembull, disa baballarë shënuan më shumë ndjeshmëri sesa gjyshet.
Rilling tregon më tej se si bëhet krahasimi mes nënave majmunë që i rritin vetë të vegjlit e tyre dhe njerëzve që zgjedhin të marrin ndihmë në rritjen e fëmijëve.
Burimi i kësaj ndihme mund të ndryshojë në shoqëri të ndryshme, në varësi, por gjyshet zakonisht zënë vendin kryesor. Ato janë një burim i rëndësishëm ndihme në shumë familje, dhe madje Rilling shton se ka prova të konsiderueshme që gjyshet mund të kontribuojnë në mirëqenien e nipërve dhe mbesave.
Duke u bazuar në punën e biologëve të mëparshëm, në vitet 1980 dhe 1990, antropologia Kristen Hawkes propozoi një teori që ajo dhe ekipi i saj e quajtën ‘hipoteza e gjyshes’. Është ideja që femrat njerëzore, ndryshe nga ato të majmunëve, mbijetojnë më shumë se burrat pas viteve të tyre riprodhuese, në mënyrë që të ndihmojnë në rritjen e brezave të njëpasnjëshëm të fëmijëve. (Sigurisht, mamasë suaj i pëlqen të kujdeset për fëmijët tuaj, por duke e bërë këtë siguron gjithashtu mbijetesën e gjeneve të saj.)
Kurse vetë gjyshet kanë teoritë e tyre përse janë më të afeksionuara me nipërit dhe mbesat. Ato mendojë se lidhet me faktin që nuk janë një figurë autoriteti për këta fëmijë dhe ndaj lidhja është më speciale. Disa e lidhin me dashurinë pa kushte. Një dashuri e tillë me fëmijët është e pamundur, pasi prindërit janë në luftë të vazhdueshme për vendosje rregullash, kufijsh dhe kontrolli.